Vetëvendosja publikoi emrat e policëve që ushtruan dhunë

Lëvizja Vetëvendosje ka publikuar emrat dhe fotot e disa policëve të Njësisë Speciale të Kosovës, që siç thonë, janë dalluar nga ushtrimi i dhunës ndaj aktivistëve të kësaj lëvizje në protestën e organizuar ndaj kryenegociatores Edita Tahiri, pas kthimit të saj nga Brukseli, ndërkohë kanë bërë të ditur se do të ngritin padi penale kundër policëve që kanë ushtruar dhunë në atë protestë.
Sekretari i Vetëvendosjes, Dardan Mulliqaj ka thënë të martën gjatë një konference për media, se kjo lëvizje kishte për qëllim që t’i shpreh pakënaqësitë e veta pas marrëveshjeve të arritura me Serbinë dhe se edhe në të ardhmen kjo lëvizje do të ketë për qëllim të vetëdijësojë qytetarët dhe të bëjë presion për t’i ndalur këto negociata dhe këto vendime që janë të dëmshme për shtetin e Kosovës.
Ai po ashtu shtoi se qeverisja e tanishme nuk është në vullnet të qytetarëve të Kosovës, por sipas tij është në harmoni të plot të interesave personale në mbajtje të pushtetit, duke theksuar se këta qeveritarë edhe në të ardhmen do të jenë të dhunshëm vetëm për të qëndruar në pushtet.
“Krejt është e qartë për shkak se Hashim Thaçi dhe Qeveria e tij, janë të interesuar që ta mbrojnë pushtetin e vet personal dhe jo për ta ruajtur shtetin e Kosovës, për shkak se Lëvizja Vetëvendosje nuk e rrezikon shtetin e Kosovës, përkundrazi e mbron dhe e ka mbrojtur interesin e qytetarëve të Kosovës. Por kjo qeveri nuk i lufton ata të cilët e rrezikojnë shtetin e Kosovës, siç janë politikanët dhe strukturat paralele në veri, për shkak se prej tyre nuk rrezikohet pushteti, po rrezikohet shteti”, ka thënë ai.
Ndërsa për deklarimet e kryenegociatores Edita Tahiri, se Lëvizja Vetëvendosje ka nevojë për shkollim, Mulliqaj tha se nëse është nevoja Edita Tahirit do t’i japin vet ata mësim për demokraci, sepse sipas tyre kjo e fundit nuk ka lidhje me demokraci, por ka lidhje me një pushtet autoritarë dhe shtypës ndaj qytetarëve të Kosovës.
Ndërkohë aktivisti Zgjim Hyseni prezantoi edhe emrat e anëtarëve të Njësitit Special që ushtruan dhunë ndaj tij dhe aktivistëve të kësaj partie, e ata sipas Vetëvendosjes janë: Fatmir Balaj, Gani Konjuhi, Muhamed Xhemajli, Rrahman Berisha, Arsim Leci dhe Ardian Rexha.
Hysenaj ka kërkuar nga gjykata që të vihet në krye të detyrës për zbatimin e ligjit, sepse sipas tij deri tani nuk është marrë asnjë masë kundër anëtarëve të Policisë së Kosovës që ushtrojnë dhunë në aksione protestuese.
“Po ashtu dëshiroj të bëjë publike se Lëvizja Vetëvendosje do t’i ndjek penalisht do të ngritët padi penale në Gjykatën e Kosovës kundër të njëjtëve policore dhe ne presim nga gjykatat përkatëse që të vihen në krye të detyrës për zbatimin e ligjit, dhe kjo ka ardhur si pasojë e asaj që prej pesë viteve, Lëvizja Vetëvendosje organizon aksione protestues, ku kemi pas lëndime deri në vrasje, asnjë herë nga asnjë institucion përkatës brenda policisë nuk është marrë asnjë mas kundër anëtarëve të Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës, prandaj ne do t’i ndjekim penalisht ata”, ka thënë Hyseni.
Lëvizja Vetëvendosje kishte organizuar të shtunën një aksion protestues kundër zëvendëskryeministres Edita Tahirit, për siç thuhet koncesioneve të vazhdueshme të saj ndaj Serbisë. Aktivistët e Vetëvendosjes kanë hedhur domate në drejtim të veturës së Tahirit deri sa dilte nga Aeroporti “Adem Jashari”. Ndërhyrjes dhe arrestimeve të Policisë së Kosovës nuk i shpëtuan as dy deputetet e Kuvendit të Kosovës, të cilat i ishin bashkuar kësaj proteste.