Serbët thonë se Tadiqi veproi si tradhtar

(E plotësuar) Anëtarë të të ashtuquajturit Kuvend të bashkësive të komunave të Kosovës, kanë vlerësuar sot se veprimet e presidentit të Serbisë, Boris Tadiq, të ministrit Goran Bogdanoviq, dhe të shefit të ekipit negociator, Borisllav Stefanoviq, paraqesin “tradhti”.
“Ajo që bëjnë Stefanoviqi, Bogdanoviqi dhe Tadiqi, është tradhti dhe ata më nuk mund t’i përfaqësojnë serbët” në Kosovë, tha Lubomir Kragoviq, kryetar i Këshillit për Kosovë në Kuvendin e Serbisë.
Në takimin e të ashtuquajturit Kuvend të bashkësive të komunave, që u mbajt në pjesën veriore të Kosovës, u konkludua se marrëveshja për vulat, doganat dhe diplomat, e arritur në Bruksel, është e papranueshme për serbët.
Nxënësit serbë: Kosova është zemra e Serbisë
Qindra nxënës serbë të shkollave fillore dhe të mesme nga veriu i Mitrovicës, kanë protestuar të martën rreth mesditës pranë urës kryesore mbi lumin Ibër, duke bllokuar në këtë mënyrë për gjysmë ore qarkullimin e automjeteve dhe të këmbësorëve nga të dyja anët e qytetit.
Ata kanë bartur në duar pankarta “Jo forcave shqiptare të sigurisë”, “Kosova është zemra e Serbisë”, “Nuk e japim Kosovën” etj., ndërsa janë dëgjuar edhe këngë me përmbajtje nacionaliste.
Predrag Stojqetoviq, përfaqësues i ministrisë së arsimit të Serbisë, ka thënë për Kosovapress se nxënësit sot më së miri po dëshmojnë se nuk duan kufi mes tyre dhe nxënësve nga Serbia, si dhe duan të mësojnë sipas plan-programit të Republikës së Serbisë.
“Ne do të protestojmë në vazhdimësi dhe për çdo ditë deri në realizimin e kërkesave tona”, ka thënë Stojqetoviq, duke paralajmëruar numër më të madh të protestuesve për shkak të interesimit të madh për pjesëmarrje edhe të prindërve.
Pas gjysmë ore nxënësit janë kthyer të qetë nëpër shkolla dhe nuk është shënuar ndonjë incident, ndërkohë që pjesëtarë të Policisë së Kosovës të stacionit veri në Mitrovicë, kanë monitoruar këtë protestë për së afërmi.
Protesta të ngjashme të nxënësve janë organizuar në të njëjtën kohë edhe në Zveqan, Zubin Potok dhe Leposaviq.
Burime të Kosovapress-it bëjnë të ditur se strukturat paralele në veri kanë kërkuar nga drejtorët e shkollave të organizojnë protesta të tilla me orar të njëjtë nëpër komunat me popullatë shumicë serbe, si dhe të marrin masën e përjashtimit ndaj atyre që nuk i përgjigjen këtij organizimi.
Strukturat paralele thërrasin serbët në protestë
Përfaqësues të pushtetit lokal në veri të Kosovës kanë paralajmëruar barrikada të sërishme, nëse KFOR-i vazhdon me bllokadën e rrugëve alternative që lidhin Kosovën me Serbinë.
Kryetari paralel i komunës së Zveqanit, Dragisha Millovic theksoi se KFOR-i plotësisht ka bllokuar rrugën që çon në drejtim të Novi Pazarit në fshatin Izvor afër Banjskës, dhe se situata në veri është duke u acaruar.
Sipas tij, KFOR-i po përpiqet që kalimet administrative t’i shndërrojë në kufi, me ç’rast është vënë në shërbim të institucioneve të Kosovës dhe Hashim Thaçit.
“Nëse rrugët alternative në veri të Kosovës mbyllen hermetikisht, nuk do të lejojmë qarkullimin e automjeteve të KFOR-it nëpër veri, dhe nëse duan t t’i furnizojnë ushtarët e tyre, këtë mund ta bëjnë vetëm nga ajri”, ka porositur Millovic.
Ndërkaq, i ashtuquajturi kryeshefi i Qarkut të Mitrovicës, Radenko Nedelkovic, duke komentuar paralajmërimet për kthimin e barrikadave nga ana e serbëve lokalë, ka thënë se bëhet fjalë për një hap të arsyeshëm të qytetarëve, dhe se kjo është e drejtë e tyre legale për t’ju kundërvënë në mënyrë të qetë veprimeve të fundit të KFOR-it.
“Qytetarët nuk do të qëndrojnë nëpër shtëpitë e tyre dhe të jenë vetëm spektatorë duke shikuar mbylljen e pikave kufitare, pastaj si duhet jetuar në geto dhe si bashkësia ndërkombëtare duhet t’i pushtojë ata me tela gjemborë. Pres që popullata të dalë në rrugë dhe në mënyrë të qetë të shprehet kundër ndarjes nga republika e Serbisë”, tha Nedelkovic.
Ristiq: KFOR, mision paqeruajtës apo okupues
Kryetari paralel i komunës së Zubin Potokut, Sllavisha Ristic deklaroi të martën se serbëve në veri të Kosovës nuk iu ka mbetur gjë tjetër, përveç të protestojnë në mënyrë të qetë.
Sipas tij, KFOR-i më në fund duhet të tregojë “fytyrën” e vërtetë nëse është forcë okupuese, apo mision paqësor.
Ai vlerësoi se ka ardhur koha që edhe Serbia të tregojë fytyrën e saj dhe të dëshmohet, në mënyrë që popullit serb në Kosovë t’i thuhet hapur nëse i ka tradhtuar dhe shitur ata, apo vërtetë dëshiron të mbrojë sovranitetin e saj në Kosovë.
Ristic ka paralajmëruar gjatë ditës së sotme protesta të nxënësve të kësaj ane, në shenjë pakënaqësie ndaj institucioneve të Kosovës të cilat, siç tha ai, po bëjnë përpjekje që me dhunë të integrojnë veriun. (Kosovapress)