E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sindikata islame

Idriz Bilalli dhe Osman Musliu, imamë nga Podujeva e Drenasi, kritikojnë Myftiun e Bashkësinë Islame, Naim Tërnava, për keqmenaxhim dhe degradim të islamit tradicional. Ata janë kundër praktikumit të këtij besimi nga persona që mbajnë mjekra e pantallona më të shkurtra. Për këtë arsye, ata kanë formuar edhe një sindikatë, të parën e këtij lloji në rajon. Nga Nexhmije Ahmeti më 07 shtator 2011 në ora 08:36

- E duan fenë islame, por nuk duan ta imitojnë asnjë popull të botës. Ata duan që këtë fe, ta praktikojnë ashtu siç edhe e praktikuan të parët e tyre. Idriz Bilalli dhe Osman Musliu, dy imamë nga vende të ndryshme të Kosovës, kanë zgjedhur që fenë e tyre ta ruajnë dhe degjenerimin eventual të saj, ta luftojnë në një formë tjetër- nëpërmjet sindikatës që e kanë formuar rishtas.

Përveç kësaj, ata pretendojnë se duan të mbrojnë edhe të drejtat e punëtorëve të Bashkësisë Islame të Kosovës si dhe të drejtat e hoxhallarëve, disa prej të cilëve kanë muaj që nuk kanë marrë paga. Idriz Bilalli, imam në xhaminë e Podujevës dhe bashkëmendimtarët e tij, që janë kundër grupeve të cilat i cilësojnë si radikale islame, të martën u mblodhën në Prishtinë, në përpjekje që t’i ruajnë vlerat e islamit tradicional të shqiptarëve. Në një konferencë për media, Bilalli po ashtu kritikoi kreun e Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiun Naim Tërnava, për keqmenaxhim të këtij institucioni fetar. Për këtë arsye, ata kanë krijuar një sindikatë.

“Qëllimi kryesor i formimit të kësaj shoqate sindikale, është që ta përmirësojë imazhin jo të mirë që aktualisht ka Bashkësia Islame e Kosovës, të besimtarëve islamë dhe të xhamive në trevat tona”, tha imam Bilalli. Sipas tij, të gjithë jemi dëshmitarë të rrjedhave të fundit edhe në Bashkësinë Islame edhe në xhamitë e vendit. “Prandaj, qëllimi ynë është që t’ia ruajmë vlerat e Bashkësisë Islame të Kosovës dhe fesë islame, të cilën e kemi të trashëguar nga të parët tanë, nga hoxhët tanë, pastaj ta ruajmë atë praktikimin e islamit tradicional në trevat tona”, u shpreh ai. Ky imam, i cili tash është edhe kryetar i kësaj sindikate, tha se islami tradicional në Kosovë është në rrezik nga grupe të ndryshme të cilët janë duke tentuar që ta ndryshojnë atë. “Ne jetojmë këtu dhe nuk kemi nevojë të dukemi si dikush tjetër”, tha Bilalli, duke aluduar në veshjen dhe dukjen e disa besimtarëve, të cilët bartin mjekra dhe veshin pantallona më të shkurtër se ata të zakonshmit.

“ Dikush po mundohet t’i ngatërrojë parimet e fesë me popullin. Ato grupe po mundohen të na e ndryshojnë traditën kombëtare në emër të Islamit. Ne jemi shqiptarë, por mund të jemi myslimanë të mirë dhe nuk kemi pse ta ndërrojmë dukjen dhe veshjen vetëm pse jemi myslimanë”, u shpreh më tej imam Bilalli, duke përmendur edhe shembuj, si Mulla Idriz Gjilani, Mulla Haxhi Zeka, Mulla Sherif Ahmeti, e shumë të tjerë. “Qe 600 vjet jemi duke e praktikuar këtë islam dhe statusi ynë juridik është sektit hanefi dhe nuk ka këtu çka të ndryshohet”, u shpreh hoxhë Bilalli. Në një paraqitje televizive, hoxhë Bilalli kishte akuzuar rëndë Myftiun e Kosovës se ka lidhje të forta me organizatat e huaja radikale.

Pas këtyre deklaratave, Myftiu Tërnava kishte deklaruar se disa imamë të xhamive të ndryshme në Kosovë kanë filluar të organizohen kundër BIK-ut. Por Idriz Bilalli i kundërshton këto deklarata të myftiut Tërnava.

“Nuk jemi të interesuar të kemi përçarje, sepse është duke u bërë një propagandë nga krerët e BIK-ut se jemi duke bërë përçarje. Qëllimi ynë është i qartë; ruajta e vlerave tona që janë të ndërlidhura me komb e me fe, e mbi të gjitha ta ruajmë imazhin e vendit, sepse ne ende kemi telashe të shumta”, thotë ky imam. I pyetur se a pretendon postin e kreut të Bashkësisë Islame të Kosovës, hoxhë Bilalli tha se nuk ka kurrfarë pretendimesh as për poste, as për karrierë. Bilalli u shpreh se në BIK shkelen të drejtat e punëtorëve, e po ashtu është duke funksionuar pa statut juridik të zgjidhur dhe nuk paguan asnjë cent për buxhet të shtetit.

Kreu i Sindikatës së punëtorëve të BIK-ut sqaroi se kanë një numër goxha të madh të anëtarëve, por pa precizuar se sa janë. Bilalli po ashtu tha se në fillim kanë marrë mbështetje edhe nga kryetari i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, Haxhi Arifi, por më vonë ata thanë se ai i ka ndërruar fjalët. Është hera e parë në Kosovë, por edhe në rajon që punëtorët e një bashkësie fetare, bëhen me sindikatë të veten.

Apeli i BIK’ut

Kryesia e BIK-ut nëpërmjet një komunikatë për media ka reaguar në lidhje me të gjitha ngjarjet që ndërlidhen me realizimin e të drejtave fetare në Kosovë. BIK-u i bën me dije opinionit publik se përgjegjëse për zhvillimin e jetës fetare në Kosovë janë bashkësitë fetare, e përgjegjëse për jetën fetare islame në Kosovë është Bashkësia Islame e Kosovës, institucion kompetent dhe i thirrur për këtë. “Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës angazhohet që të realizohen të gjitha të drejtat e besimtarëve, e para së gjithash e drejta për shkollim, punësim, arsimim e vend dinjitoz për xhami. Konsiderojmë që këto të drejta janë legjitime dhe në bashkëpunim me institucionet e vendit do të gjejmë zgjidhje ligjore e kushtetuese”, thuhet në komunikatën e BIK-ut. Kryesia e BIK-ut i fton të gjithë faktorët që me këto të drejta apo kërkesa të besimtarëve, mos t’i shfrytëzojnë për qëllime të tjera politike, promovuese, karrieriste e abuzive. “Edhe një herë, ftojmë të gjithë faktorët institucionalë, politikë e jopolitikë, që mos të bëjnë politikë me fenë, e as fe me politikë. Për fenë flasin institucionet fetare që janë kompetente dhe të obliguara”.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›