E Diel, 1 Nëntor 2026

SHISH: Nuk kemi para të hetojmë njerëzit

Punonjësit e Shërbimit kanë tre muaj që nuk paguhen për punët në terren. Buxheti i ri, do të paguhen vitin tjetër

TIRANË - Shërbimi Informativ Shtetëror prej tre muajsh nuk ka para të paguajë punonjësit e tij. Alarmin e ka dhënë nënkryetari i këtij institucioni, Ylli Allushi, i cili deklaroi në Komisionin e Sigurisë gjatë shqyrtimit të projektbuxhetit të ri se me shkurtimet e reja SHISH nuk mund të garantojë pagesën e këtyre punonjësve as gjatë periudhës së mbetur të vitit.


Sipas tij, ky shërbim rrezikon që të ndërpresë edhe kryerjen e detyrave shtesë që i janë përcaktuar për vitin 2010, si dhe vështirëson realizimin e objektivave për këtë vit.


Nënkryetari i SHISH kërkoi mbështetjen e anëtarëve të Komisionit të Ligjeve për përmirësimin e situatës dhe për rishikimin e shkurtimit të buxhetit për shërbimin informativ. Edhe anëtarët e Komisionit të Sigurisë kërkuan rishikimin e buxhetit për shërbimin e inteligjencës shqiptare nga Komisioni i Ekonomisë, ndërkohë që miratuan shkurtimet e buxhetit për Ministrinë e Mbrojtjes dhe atë të Brendshme.


Numri dy i institucionit të Shërbimit Informativ Shtetëror, Ylli Allushi, deklaroi në Komisionin e Sigurisë gjatë shqyrtimit të projektbuxhetit se fondi i parashikuar për institucionin e inteligjencës nuk i lejon këtij institucioni që të kryejë funksionet kushtetuese.


Sipas tij, një nga detyrat kryesore të Shërbimit Informativ është mbledhja e informacioneve në funksion të sigurisë kombëtare, por në rast të mungesës së dietave për të dërguar punonjësit në terren, detyra nuk mund të plotësohet.


Gjendja vështirësohet edhe më shumë duke pasur parasysh që prej muajit maj, punonjësit e Shërbimit Informativ, të cilët dërgohen në terren nuk kanë marrë edhe pagesat e tyre.


Allushi sqaroi se deri në këto momente, punonjësit e SHISH kanë marrë vetëm dokumentacionin për detyrat që kanë bërë dhe për shpërblimin që ata duhet të marrin.


"Duke filluar nga data 1 maj, ne nuk paguajmë punonjësit që shkojnë me shërbim. Ata firmosin dietat, i mbajnë në një dosje si letra me vlerë në pritje për t'u rimbursuar dhe nisur nga fakti që buxheti do shkurtohet, ata nuk kanë për t'i marrë këtë vit, por do t'i marrin vitin që vjen", - theksoi Allushi. Mungesa e parave, sipas numrit dy të Shërbimit Informativ, do të shkaktojë edhe humbjen e kontakteve që në gjuhën e shërbimeve sekrete quhen "objekte kërkimi'.


Nënkryetari i SHISH sqaroi se ky shërbim gjatë vitit 2010 duhet të realizojë edhe dy detyra shtesë, por pa dhënë detaje të tjera për natyrën e tyre. Për këtë qëllim, Shërbimi Informativ Shtetëror gjatë këtij viti kishte planifikuar për të marrë në punë edhe 50 punonjës të tjerë operativë, gjë e cila nuk është pranuar nga Ministria e Financave, e cila e ka shkurtuar fillimisht në 24 dhe më pas në 14.


Për nënkryetarin Allushi, një shkurtim i tillë i buxhetit e bën shumë të vështirë realizimin e detyrave të planifikuara. Por, për Ministrinë e Financave, rritja e buxhetit për Shërbimin Informativ është e pamundur. Sipas Ministrisë së Financave, buxheti për Shërbimin Informativ është një nga uljet më të vogla krahasuar me institucionet e tjera shtetërore.


Deputeti demokrat Skuqi propozoi rishikimin e projektbuxhetit për Shërbimin Informativ nga Komisioni i Ekonomisë në mënyrë që të mos cenohet puna e shërbimit të inteligjencës shqiptare. Një ide e tillë është mirëpritur edhe nga përfaqësuesit e tjerë në Komisionin e Sigurisë. Në projektbuxhetin e ri shpenzimet për Shërbimin Informativ Kombëtar kapin shifrat e 1.245.323 milionë lekë.


Buxheti për Mbrojtjen dhe atë të Brendshme


Mazhoranca miratoi vetëm me votat e saj edhe buxhetin e rishikuar për Ministrinë e Mbrojtjes dhe atë të Brendshme. Në projektbuxhetin e ri të hartuar nga qeveria Ministrisë së Mbrojtjes i është lënë 19.749.348 milionë lekë, ndërsa Ministrisë së Brendshme 16.993.329 milionë lekë.


Përfaqësuesi i Ministrisë së Mbrojtjes deklaroi se shkurtimet nuk do të cenojnë punën e kësaj ministrie gjatë vitit. Në projektbuxhetin e ri për vitin 2009, vendi ynë nuk do mundë të kapë shifrën 2% të GDP-së që një vend anëtar i NATO-s duhet të shpenzojë për ushtrinë.


Edhe përfaqësuesi i Ministrisë së Brendshme, zoti Çela, garantoi se pavarësisht ndryshimeve nuk do të ketë shkurtime në staf, por do të shtyhet tenderi për uniformat e policisë dhe për rikonstruksionin e dy komisariateve në vend.


Ristani: Debati për fletët, thjesht politik


Kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Arben Ristani, deklaron se debati mes mazhorancës dhe opozitës për hetimin e zgjedhjeve të 28 qershorit është vetëm politik, pasi ligji, sipas tij, flet si për materialet zgjedhore ashtu edhe për fletët e votimit. Sipas kreut të KQZ-së, Ristani, kriza politike mes dy forcave kryesore ka penguar zbatimin e nenit 178 të Kodit Zgjedhor.


Gjithsesi, Kryetari i KQZ-së thotë se vendimi për djegien ose jo të fletëve të votimit do të merret në mbledhjen e parë të KQZ që do të përgatisë infrastrukturën për zgjedhjet lokale të 2011-ës. Lidhur me dekretimin nga ana e Presidentit e datës së zgjedhjeve të ardhshme lokale, sipas Ristanit, ajo duhet të shpallet brenda 9 muajve para përfundimit të mandatit të krerëve aktualë të njësive vendore.


Buxheti për institucionet e pavarura, socialistët kërkojnë pjesëmarrjen e përfaqësuesve


Ndryshimet në projektbuxhet kanë ndezur debatet në Komisionin e Ligjeve, të cilët kanë kundërshtuar uljen e fondit të parashikuar për institucionet e pavarura dhe për pushtetin vendor.


Për këtë arsye, anëtarët e majtë në Komisionin e Ligjeve kërkuan pjesëmarrjen e përfaqësuesve të institucioneve të pavarura për të dëgjuar mendimin e tyre për ndryshimet e reja. Një takim i tillë është lënë për në datë 21 korrik, ku do të marrin pjesë edhe përfaqësuesit e këtyre institucioneve. Një tjetër pikë e debatueshme mes deputetëve të dy forcave politike ka qenë edhe pjesa për pushtetin vendor.


Drejtoresha e buxhetit në Ministrinë e Financave, Mimoza Dhëmbi, deklaroi se ulja e shpenzimeve të buxhetit vendor është 22 për qind, ndërsa investimet e 2010-ës do të vazhdojmë me kontratat e 2009-ës, pasi nuk ka investim të ri. Ekspertja e Ministrisë së Financave në përgjigje të interesit të anëtarëve të komisionit sqaroi se shkurtimi i shpenzimeve të buxhetit nuk prek funksionimin e institucioneve të pavarura.


Topi, ftesë mbretit të Spanjës


Presidenti i Republikës, Bamir Topi, zhvilloi dje një komunikim zyrtar me Mbretin e Spanjës, Huan Karlos, gjatë të cilit kreu i shtetit shqiptar vlerësoi ndihmesën dhe mbështetjen e çmuar e të vazhdueshme spanjolle për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian. Presidenti Topi e ftoi mbretin e Spanjës dhe bashkëshorten e tij, Sofia, që të zhvillojnë një vizitë zyrtare në vendin tonë.


Mbreti Huan Karlos e pranoi me shumë kënaqësi ftesën për vizitë, e cila do të realizohet në një të ardhme jo shumë të largët. "Jam i bindur që kjo vizitë në vendin tuaj të bukur do të jetë një mundësi e mirë për të forcuar akoma edhe më tej marrëdhëniet tona të shkëlqyera dhe lidhjet e ngushta të miqësisë që bashkojnë dy popujt tanë, ashtu si edhe për të përparuar në rrugën që Shqipëria ka ndërmarrë drejt Europës - rrugë të cilën, siç e dini, Spanja e mbështet plotësisht." - u shpreh Mbreti i Spanjës, Huan Karlos.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›