E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta: PS t'i drejtohet sa më parë Kushtetueses

"Nëse opozita kërkon shqyrtimin e fletëve, t'i drejtohet Gjykatës Kushtetuese. Ne do pranojmë çdo vendim"


TIRANË - Zëvendëskryeministri dhe njëherësh ministri i Jashtëm, Ilir Meta, deklaroi dje se nëse Partia Socialiste kërkon transparencën e zgjedhjeve të kaluara përmes shqyrtimit të fletëve të votimit, ajo duhet t'i drejtohet sa më parë Gjykatës Kushtetuese.


Çdo qëndrim tjetër, sipas numrit dy të qeverisë, do të ishte thjesht një alibi për zgjatjen e krizës aktuale politike dhe një sfidë që, sipas Metës, do t'i bëhej faktorit ndërkombëtar ndaj asistencës që ka dhënë deri më tani për kapërcimin e ngërçit politik.


"Në këtë drejtim, mendoj se Partia Socialiste nuk duhet të humbasë kohë për t`iu drejtuar Gjykatës Kushtetuese, në rast se ajo vërtet dëshiron të hapen fletët e votimit. Në rast të kundërt, çdo përpjekje e saj është një alibi për të zgjatur më tej këtë krizë tërësisht artificiale, sipas vlerësimit dhe gjykimit tim, por njëkohësisht është edhe një sfidë që i bëhet vëmendjes dhe përkushtimit të komunitetit ndërkombëtar për të ndihmuar në ecjen përpara dhe kapërcimin e atyre diferencave të deritanishme", - tha dje Meta gjatë një bashkëbisedimi me gazetarët.


Meta theksoi se opozita i ka të gjitha votat e nevojshme për ta bërë kërkesën për transparencën e zgjedhjeve në Gjykatën Kushtetuese dhe, sipas tij, mazhoranca do të pranojë verdiktin e organit kushtetues. Ai specifikoi gjithashtu se hetimi i materialeve zgjedhore duhet të bëhet në përputhje me ligjin dhe sistemin aktual zgjedhor.


"PS i ka të gjitha votat e mjaftueshme të deputetëve të saj për ta bërë të mundur dhe konkretisht një kërkesë të tillë, dhe është thënë qartë se mazhoranca do të respektojë çdo lloj vendimi të Gjykatës Kushtetuese.


Ndërkohë që për hetimin e materialeve zgjedhore është bërë e qartë se do të respektohet ligji dhe kodi në fuqi, i cili sikurse e dini është një kod konsensual Rama-Berisha, pavarësisht se ne kemi qenë kundër këtij kodi dhe jemi për rishikimin e tij", - u shpreh ai.


Meta shtoi se shumica në pushtet është për respektimin e Rezolutës së Parlamentit Europian dhe, sipas tij, askush nuk duhet të abuzojë me këtë dokument, pasi ekzistojnë të gjitha instrumentet për të zgjidhur çdo mosmarrëveshje.


Në këtë mënyrë, tha zëvendëskryeministri Meta, e vetmja rrugë që i mbetet Partisë Socialiste është dërgimi dhe formulimi i kërkesës drejt Gjykatës Kushtetuese.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›