E Shtunë, 31 Tetor 2026

SHQIPËRI-BB, tre firma për 65 milion Usd

Autori i Lajmit: red.
Ministri i Financave, Ridvan Bode nënshkroi të mërkurën tre marrëveshje të rëndësishme me Bankën Botërore, për financimin e projekteve të rrugëve rurale, sigurisë së digave dhe për përballimin e katastrofave.
Në tërësi portofoli i kredive të nënshkruara sot është 64,87 milionë dollarë dhe financohen nga Shoqata Ndërkombëtare për Zhvillim (IDA) dhe Banka Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim (IBRD).
Gjatë fjalës së tij, pas nënshkrimit të marrëveshjeve, ministri i Financave, Bode, duke falenderuar Bankën Botërore për angazhimin e saj në këto projekte, shprehu besimin se qeveria do të mund të sigurojë edhe fonde të tjera për realizimin e projektit të rrugëve rurale.
"Pjesë e këtij projekti do të jenë dhe donatorë të tjerë, të cilët tashmë kanë konfirmuar pjesëmarrjen e tyre siç janë, Fondi i OPEC -ut me 15 milionë euro, BE nga fondet e IPA për vitin 2008 me 8 milionë euro dhe jemi duke negociuar me Bankën Ndërkombëtare të Zhvillimit dhe me Bankën Japoneze, JBIC, të cilat do të financojnë pjesën tjetër të projektit", theksoi ministri Bode.
Përfaqësuese e zyrës së Bankës Botërore në Tiranë, Camille Naumah, e cila nënshkroi në emër të BB, theksoi se Shqipëria ka arritur sukses me rastin e IDA-s dhe tashmë ka siguruar kalimin në fazën e kreditimit me terma tregtare.
"Në më pak se dy dekada vendi ka kaluar nga një vend me të ardhura të ulëta, në një vend me të ardhura të mesme. Ky është një zhvillim, i cili nuk mund të nënvlerësohet", u shpreh Naumah.
Më tej, Naumah cilësoi se ky është një progres për të cilin të gjithë shqiptarët duhet të jenë krenarë. "Dua të falenderoj sërish qeverinë dhe partnerët tanë të zhvillimit, që u bashkuan me ne, në këtë rrugë me Shqipërinë dhe dua të përgëzoj qytetarët shqiptarë sot për këtë zhvillim kaq të rëndësishëm ", deklaroi Naumah.
Ky lajm është publikuar: 03/07/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›