SHQIPTARET, GREKET, MAQEDONET DHE EMRI MAQEDONI
Maqedonia dhe kufijtë e saj kanë nxjerrë përherë probleme për popujt e shtetet përreth dhe për historianët. Ky emër përbën formën latinisht, Macedonia të toponimit pellazgjik, që më vonë u huazua nga grekët, në trajtën Μακεδονία. Për shumë gazetarë e politikanë të sotëm, termi Maqedoni na çon në lashtësi, në vitet e mbretërimit të Filipit II. Por, siç do ta shohim më poshtë, emri i Maqedonisë është shumë më i hershëm.
Problemi i emritTit Livi (shek. I e. s.) thoshte se, “as maqedonët vetë nuk i dinë me saktësi kufijtë e vendit të tyre”.
Në mesjetën e hershme, lëmshi u ngatërrua dhe më fort. Meqë popujt ballkanikë e adhuronin Lekën e Madh si perëndinë e tyre, shkrimtarët dhe historianët e tyre ëndërronin të integronin vendet e tyre në “krahinat e lavdishme të Maqedonisë”, në atdheun e lavdishëm të mbretit të tyre zulmëmadh.
Në Perandorinë e Bizantit, emri Maqedoni shënonte ndarjet ushtarake e administrative (“temat”) ku, që nga shek VI zunë të vendosen sllavët, ndërkohë që grekët ngelën të grupuar në bregdetin egjeas.
Gjatë pesë shekujve të pushtimit otoman, e gjithë ana perëndimore dhe veriore e Maqedonisë së sotme, e banuar prej shqiptarëve, përbënte pjesën jugore të Kosovës. E gjitha kjo dhe Kosova, të marra tok, me Kosovën Lindore, që ndodhet ende në Serbi, përbënin vilajetin e Kosovës me qendër në Shkup. Kurse jugu i Maqedonisë formonte një pjesë të vilajetit turk të Manastirit, të këtij qyteti, emrin e të cilit maqedonët e zëvendësuan me emërtimin Bitola. Në vitin 1771, në Francë, nocioni Perandoria maqedone e Lekës së Madh hyn në përdorim si shprehje për të treguar një vend të banuar nga shumë popuj me prejardhje krejt të ndryshme. Me kohë, emri Maqedoni mori kuptim shumë të gjerë. Shprehja “maqedoni citimesh”, - numër i madh citimesh, që nuk kanë asnjë lidhje mes tyre, - ndeshet dhe sot në frëngjisht dhe në gjuhë të tjera. Nga ana tjetër, qyshkur në Europë kanë hyrë në përdorim emërtime të llojeve të ndryshme të sallatës: maqedoni perimesh me beshamel, ose me lëng, ose me majonezë, maqedoni frutash, ose perimesh etj. Romain Rolland shkruan diku se, “… nuk i mbetej më personalitet tjetër, veçse të përziente vlerat intelektuale e morale të popujve të tjerë, që po bënin një Maqedoni, një olla-podrida”. Në Spanjë, olla-podrida është këzartma (mish e perime, të zier njëherësh) dhe, pak më vonë, e kalbur…
Mund të renditen dhe raste të tjera kësodore, ku emri Maqedoni është bërë gazi i botës. Më 1913, Beogradi, Sofja dhe Athina vendosin të gllabërojnë Maqedoninë. Ata e përzënë pushtuesin otoman dhe e copëtojnë vendin. Por, pas Luftës II Botërore, Enver Hoxha i fali Titos Maqedoninë e sotme shqiptare, Kosovën me gjithë Kosovën Lindore, Çamërinë dhe qytetet e krahinat shqiptare të Malit të Zi. Pastaj, Titua e sajoi artificialisht republikën e gjashtë të Maqedonisë. Në vitin 1991, maqedonët fitojnë pavarësinë si republikë dhe marrin masa efektive për mbrojtjen e vendit. Ata sajojnë artificialisht një identitet të fortë kombëtar lokal, që të shmangnin absorbimin etnik të republikës së re prej Bullgarisë. Ata adoptuan “emrin kombëtar” dhe emblemat e Maqedonisë së lashtë: “Diellin e Verginës” të varrit të Filipit II e vunë në flamurin e republikës së sajuar! Greqia hidhet kundër këtij vendimi, që “grabit e përvetëson të kaluarën greke të shekujve të tërë para arritjes së sllavëve në Ballkan”!
Me këtë rast, nga organizma ndërkombëtare i janë propozuar Shkupit disa emra si Macedosllavi, Macedosllavoni, Maqedoni e Re dhe Sllavomaqedoni, por maqedonët hedhin poshtë çdo emërtim pa rrënjën “Maqedon”, ndërkohë që grekët nuk pranojnë asnjë emërtim me rrënjën Maqedon. Në pamundësi të ndonjë marrëveshjeje, janë formuar disa organizma ndërkombëtare për të arritur ndonjë kompromis, por deri tani njëra palë i bie thumbit, tjetra patkoit. Ndërkohë, gjë për t’u çuditur, shqiptarët vetëm mbajnë vesh e dëgjojnë!
Prejardhja e emrit MaqedoniSipas një numri të madh historianësh të njohur, grekët e parë kanë ardhur në jug të gadishullit të Ballkanit në shek. XVIII-XVII para erës sonë. Ata e kanë gjetur vendin të populluar nga një popullsi jo indoeuropiane, të përzier me pellazgë indoeuropianë. Vendi që, më vonë mori emrin Helladë, ka qenë i plotësuar me toponimi kryesisht pellazge. Kështu, dhe vendet që kufizoheshin me Greqinë - Epiri e Maqedonia, por këto vende ndodheshin krejtësisht jashtë Greqisë.
Indoeuropianisti i shquar, Paul Kretschmer ka thënë se toponimia mund të bazohet në emra hyjnish. Ky citim i njohur provohet sidomos në Greqinë e Vjetër, në Maqedoni dhe në Epir. Heroi eponym i Maqedonisë, - personazhi, emrin e të cilit mban krahina, - është Macedoni. Nganjëherë, Macedonin e bëjnë autokton, pra thjesht pellazg. Por, sipas variantit më të njohur, Macedoni është bir i ilirit Lykaon (P. Grimal, 1951, f. 117, 273), i të birit të Pellazgut.
Ka dhe versione e variante të tjera mbi Macedonin: sipas disa autorëve grekë, Macedoni është bir i Zeusit pellazgjik dhe vëlla i Magnezit, ose vëlla i Eolit (R. Bell, f. 169). Me fjalë të tjera, Maqedonia ka marrë këtë emër shumë kohë para se grekët të arrinin në Europë. Në mitologjinë greke nuk gjendet ndonjë version ose variant, sipas të cilit Macedoni do të ketë qenë grek. Përpjekjet e disa autorëve për të shpjeguar emrin “Maqedoni” me fjalë greke, janë të bazuara si ato të disa autorëve shqiptarë që, bie fjala, emrin “Maqedoni” e shpjegojnë me fjalët shqip “Mba qe e dhen”.
Përkatësia etnike e emrit MaqedoniTë dhënave dhe argumenteve mitologjike, letraro-historike, arkeologjike dhe gjuhësore mbi përkatësinë etnike të emrit Maqedoni, të renditura në botimet e mëparshme (Autori, 2006, 2007, 2008, 2009, 2010), e shoh të udhës t’u shtoj këtu pikëpamjet politike e kulturore të katër historianëve të njohur të Universiteteve të New York-ut dhe të Kalifornisë: S. B. Pomeroy, St. M. Burstein, W. Donlan dhe J. T. Roberts.
Në vitin 1999, këta bashkautorë parashtrojnë se nacionalistët grekë (sic.) gabohen kur thonë se maqedonët kanë qenë grekë. Vërtet nuk janë zbuluar ende tekste të shkruar në maqedonisht, por vetë burimet e vjetra greke na bindin se grekët nuk mund ta kuptonin “maqedonishten” e folur. Gjithsesi, vijojnë bashkautorët, një fakt është i padiskutueshëm: në lashtësi, grekët i kanë konsideruar maqedonët si barbarë, pra jo grekë, dhe vetë maqedonët e kanë mbajtur veten si të atillë. Grekët i konsideronin maqedonët si barbarë njësoj si fqinjët e tjerë - ilirët dhe trakët. Çka është më e rëndësishme, nënvizojnë bashkautorët, sado mbretërit e maqedonëve e përkrahnin helenizimin e fisnikërisë maqedone, kultura maqedone dhe ajo greke kishin fare pak gjëra të përbashkëta. Edhe pse në Greqi pjesa më e madhe e popullsisë merrej me bujqësi, qytetet greke dalloheshin mirë për kulturën e tyre. Në Maqedoni, jeta qytetare kufizohej vetëm në disa koloni greke, në breg të Gjirit Thermos, që ndodhen jashtë kufijve të Maqedonisë së sotme. Ato pak qytete brenda në Maqedoni, si Aegae (angl.) e Pella, ishin vetëm qendra dinastike, pa institucione qytetarie. Shumica e maqedonëve ishin fermerë të vegjël ose barinj gjysmënomadë, që banonin në fshatra të shpërndarë dhe u lanin detyrimet aristokratëve maqedonë. Bashkautorët amerikanë parashtrojnë se ka pasur dhe ndryshime të tjera mes kulturës maqedone dhe asaj greke. Elita maqedone është poligame, ndërsa ajo greke - monogame. Maqedonët pinin shumë verë dhe praktikonin varrimin në tuma, kurse grekët preferonin të përfundonin në kremator.
Historianët amerikanë vënë re dhe ndryshime të tjera mes maqedonëve dhe grekëve. Sipas atyre, historia e monarkisë maqedone është e mbushur me përpjekjet e mbretërve maqedonë për të zbutur aristokracinë e papërmbajtur maqedone dhe për të zgjeruar kufijtë e shtetit të tyre. Mënyra e jetesës e fisnikërisë maqedone kishte më shumë gjëra të përbashkëta me heronjtë homerikë sesa me grekët klasikë. Lufta dhe gjuetia përbënin veprimtarinë e vetme të fisnikëve maqedonë. Vrasjet në Maqedoni ishin mënyrë jetese. Që të njihej se kishte arritur moshën madhore, i riu maqedon duhej të shpërndante fillka vetëm një kope me derra të egër dhe të vriste fillka vetëm një armik. Maqedonët pinin shumë dhe mateshin me njëri-tjetrin në log të burrave, në Oborrin Mbretëror dhe sidomos në luftë.
Monarkia, përfundojnë bashkautorët, përbënte institucionin qendror të shoqërisë maqedone. Mbretërit maqedonë ishin autokratë. Sado teori të mëparshme mbronin që pushteti i tyre ishte i kufizuar nga një asamble ushtarake, e veshur me të drejtën për të zgjedhur mbretin, tani është provuar se këto hipoteza janë të pambështetura. Ushtria mund të shpallte një mbret të ri dhe të jepte tituj fisnikërie, por mbreti dhe këshilltarët e tij merrnin përherë vendimet e fundit. Mbreti emëronte gjithnjë nëpunësit dhe gradonte oficerët. Vetëm ai jepte tokën e privilegjet dhe të gjitha përgjigjet për peticionet. Vetëm mbreti e përfaqësonte Maqedoninë në punët e jashtme. Traktate e marrëveshje bëheshin vetëm në emër të mbretit. Mbreti vendoste se kush do të ishte trashëgimtari… (f. 373-375).
Si shihet më lart, duke u mbështetur vetëm në të dhëna e argumente politike e kulturore, mund të thuhet se, etnikisht maqedonët nuk kanë ndonjë gjë të përbashkët me grekët. Për maqedonët mund të thuhet se janë shumë të ngjashëm me ilirët dhe me epirotët. Prandaj, në ‘Encyclopaedia Universalis,’ Paris, 2000, në faqen 808, mund të lexojmë: “Në fakt, Maqedonia, si vend nëpër të cilin kanë shtegtuar popuj të ndryshëm, që të pushtonin Greqinë, ka pasur një popullsi të trazuar - ilirë, trakë ose epirotë, të përzier me imigrantë akeas”. Emri “Maqedoni” nuk lidhet kurrqysh as me sllavët maqedonë. Tashmë dihet se këta të fundit janë vendosur në Maqedoninë e sotme rreth tremijë vjet pasi do të jetë pagëzuar kjo krahinë. Si përfundim, duke u bazuar në të dhëna mitologjike, letraro-historike, arkeologjike dhe politiko-kulturore, mund të thuhet me siguri se, me emrin “Maqedoni” mund të lidhen vetëm shqiptarët, pasardhësit e pellazgëve/ilirëve.
Autori: Doktor në Historinë e Vjetër