E Shtunë, 31 Tetor 2026

“ËSHTË MË VONË SESA PANDEH TI!”



Në këtë shkrim do të bëj përpjekje që edhe një herë ta livadhis rradaken time ndaj një ngjarjeje të intimiduar, që është e sajuar e ndërtuar nga Akademia e Shkencave dhe Arteve të Maqedonisë. Këtë shkrim do ta ndërlidh me një paragraf nga jeta e poetit francez Charles Baudelaire (1821-1867), i cili, në murin e dhomës së tij kishte varur një orë pa akrepa, po që punonte mirë. Nën të ai kishte shkruar: “Është më vonë sesa pandeh ti!” Zotit Bllazhe duhet thënë se... është më vonë sesa pandeh ti për ta diskutuar historinë 5550-vjeçare që kemi si vend, si shtet, si popull”. Bëhet fjalë për një fjalor të ri enciklopedik që karakterizohet me një rrugëtim të vonuar, me defekte serioze dhe skajshëm idioteske, intolerante, një enciklopedi që shtërzon një histori bajate, të shtrembëruar, të rreme, të huazuar..., një enciklopedi që është hartuar nga lëvozhgat e mollës së kalbur dhe nga mbeturinat historike të popujve fqinjë të saj, një enciklopedi e financuar edhe me paratë e taksapaguesve, respektivisht të “ardhacakëve shqiptarë ose shiptari-pllaninci, të zbritur nga malet!” (nëse shqiptarët nuk kanë kurrnjë lidhje logjike me ilirët atëherë, akademikët maqedonas do kishin të “drejtë” ta kontestojnë etnogjenezën tonë)... apo a mos vallë kur përmenden shqiptarët e malit, akademikët maqedonas aludojnë te ushtarakët e UÇK-së). Ky fjalor enciklopedik, kështu si është shkruar, do të duhet të jetë një hamam provokim i radhës i akademikëve maqedonas (nëse merret parasysh edhe botimi i promemories së vitit 2001, që hidhte idenë e ndarjes së Maqedonisë, që pa dyshim ishte një ide gjenocide dhe fashizoide), kjo enciklopedi të duket si një fletore pune për nxënësit e klasës së parë fillore, që nuk e nderon “as shkencën, as historinë” e dyzuar maqedonase, madje as tolerancën e shqiptarëve, në veçanti të atyre që jetojnë këtej avllisë së shtetit amë. Thjesht, është një provokim i hapur politik. Është një enciklopedi hardall, që veç ka filluar të frymojë me hesape të hapura, respektivisht çështje të trashëguara dhe të pazgjidhura, por që është e veremosur dhe që nuk i gjendet ilaçi. Kryetari Bllazhe Ristov(vski) tok me akademikët e tjerë, në vend që t’i kthjellojnë gjykimet dhe vështrimet e tyre kundrejt zgjidhjes së problemeve me të cilat ballafaqohet historia e tyre e bashkëdyzuar dhe inekzistente, ata do të merren me anashkalimin, mohimin dhe denigrimin e të kaluarës së shqiptarëve, të grekëve dhe të tjerëve. Për këtë dhe shkaqe të tjera, reagimi ynë qoftë i lidershipëve, partive politike dhe historianëve, assesi nuk duhet të jetë selektiv, nuk duhet të jetë reagim ndejash, reagim zhurmues, i izoluar dhe i përkohshëm, nuk guxon të jetë vetëm një reagim gazetaresk, emocional, i zbehtë dhe jo institucional përkundrazi, ky reagim duhet të jetë reagim kognitiv (jo i vonuar, sepse vonesa e ushqen harresën) racional, respektivisht duhet të jetë një përgjigje kolektive e të dy Akademive të Shkencave dhe Arteve të Tiranës dhe Prishtinës si dhe akademikëve shqiptarë të Maqedonisë. Dhe këto dy akademi simotra shqiptare, përfundimisht duhet ta promovojnë dhe ta palosin projektin kundrejt ndarjes së Maqedonisë dhe krijimit të Shqipërisë natyrale, me çka, njëherë e përgjithmonë do ta mbyllnin kaptinën e asaj tolerance të çuditshme dhe të stërzgjatur (shqiptare) nga njëra anë dhe nga ana tjetër do t’i jepej fund prostitucionit, masturbimit adoshelent dhe racizmit politik maqedonas. Ndryshe nuk bën dhe nëse bën, atëherë me maqedonasit diçka nuk është në rregull e ata që nuk janë në rregull me shëndet, ose shkojnë të kurohen te psikiatri, ose te urologu. Pse mos të promovohet kjo ide nga ana e Akademisë shqiptare, aq më tepër kur një të tillë (ide) shumë kohë më parë e kishte promovuar Akademia e Shkencave dhe Arteve të Serbisë, një projekt i cili edhe erdhi në shprehje kur shqiptarët do të vriteshin dhe dëboheshin nga trevat e tyre etnike..., andej nga Kosova, nga Lugina e Preshevës, Manastiri, Kumanova, Shkupi, Tetova, Gostivari, Kërçova, Dibra, Struga, Ohri dhe vende të tjera, shqiptarë të cilët detyroheshin të degdisnin në Traki, Anadolli dhe gjetiu.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›