E Diel, 1 Nëntor 2026

Vdekshmëria foshnjore ; Ndër vite ka ardhur në rënie



“Referuar të dhënave paraprake të Studimit Demografik Shëndetësor, vdekshmëria foshnjore në vend ka regjistruar rënie gjatë 15 viteve të fundit, megjithatë mbetet ende për t’u bërë në këtë drejtim”, - tha drejtori i Institutit të Shëndetit Publik, Alban Ylli.

"Për vdekshmërinë foshnjore vërejmë rënie të qëndrueshme të saj dhe nuk është larg krahasuar me indikatorët zyrtarë, që grumbullon Ministria e Shëndetësisë", - tha Ylli. Sipas tij: "Vdekshmëria neonatale apo tek foshnjat deri 1 muaj, vazhdon të mbetet rezistente nga pikëpamja e uljes dhe është rreth 11 për 1 mijë lindje të gjalla". "Ka ende shumë për t’u bërë lidhur me kujdesin për gruan për fëmijën e porsalindur", - theksoi ai. Sa i takon vdekshmërisë foshnjore, ajo është në rënie të qëndrueshme. "Para rreth 10 viteve e kishim 25 për 1 mijë lindje dhe për 2-3 vitet e fundit është në shifrat 16-18 për 1 mijë lindje, çka nuk është larg me indikatorët e MSH-së për vitin e kaluar", - bëri të ditur Ylli. Ndërsa, bazuar në të dhënat e studimit për 15 vitet e fundit, shkalla e vdekshmërisë foshnjore gjatë kësaj periudhe është pothuajse përgjysmuar, nga 35 deri në rreth 16-18 vdekje për 1 mijë lindje të gjalla. Vdekshmëria foshnjore, sipas Yllit, është një nga indikatorët bazë të shëndetësisë së një vendi. "Nuk tregon thjesht kujdesin shëndetësor, por një sërë determinantësh të tjerë sociale, duke filluar që nga edukimi i nënave, fertiliteti i tyre", - tha ai, duke shprehur bindjen se "dhe rëniet në fertilitet, si pasojë e politikave të planifikimit familjar, përmirësimi i ushqyerjes, i edukimit të nënave kanë sjellë një efekt të tillë dhe jo thjesht ndërmarrjet apo politikat apo reformat e kujdesit shëndetësor".

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›