E Shtunë, 31 Tetor 2026

SHTYPI / UEFA, 5 vjet dyshime për skuadrat shqiptare

"Shqipëria ka një histori të hershme në manipulimin e ndeshjeve". Kjo fjali në dosjen që UEFA i ka dorëzuar Europolit ka bërë që mediat në të gjithë Evropën të kërkojnë shpjegime për dyshimet rreth paraqitjeve të skuadrave shqiptare në arenën ndërkombëtare. Gazeta italiane, "La Stampa", ka arritur të ndërtojë historikun e dyshimeve "shqiptare", duke marrë shkas që nga ndeshjet e 5 viteve më parë në Kupat e Evropës. Reportazhi i nisur nga akuzat e Kryeministrit Berisha kundër Kombëtares ka shtyrë këtë gazetë ta cilësojë Shqipërinë si një vend me histori në cështje të tilla, duke analizuar të gjitha rastet kur skuadrat shqiptare kanë lënë të dyshohet për ndeshjet e tyre. Sipas saj, edhe UEFA po analizon këtë dosje, për të parandaluar raste të tjera në të ardhmen.
"Data 7 gusht 2002 është historike. Në atë kohë luheshin paraeliminatoret e Ligës së Kampioneve, Dinamo ishte pritëse përballë danezëve të Brondbi. Mashtrimi ishte studiuar në detajet më të vogla dhe kishte prej atyre që arritën të vinin baste mbi rezultatin ekzakt të ndeshjes, atë që ishte paracaktuar. Por dyshimet për manipulime ishin shumë të forta, aq sa kompanitë e basteve u bindën se ndeshja ishte e trukuar. Graham Sharp, zëdhënësi i "William Hill", shpjegoi situatën. "Të gjitha bastet ishin vënë në Londër dhe Mancester. Të gjitha ishin vënë në rezultatin përfundimtar 0-5, me koeficient mes 80 dhe 100". Problemi për atë që kishte programuar trukimin e rezultatit ishte se plani nuk u realizua. Ndeshja përfundoi 0-4 dhe danezët humbën në mënyrë të pabesueshme golin e pestë në minutat e fundit, duke bërë që personat që kishin organizuar gjithcka të mos ishin të suksesshëm në këtë tentativë.
Data e mësipërme është historike pikërisht për këtë arsye, pasi kjo ishte hera e parë për tentativa manipulimi në ndeshje që mbikëqyreshin nga UEFA. Një vit më vonë lindin dyshime për dy takime të tjera: Dinamo-Lokeren dhe Vllaznia-Dandi, ndeshje të paraeliminatoreve të Kupës UEFA. Shuma të mëdha vihen në shenjën 2, ndërsa rezultatet u japin të drejtë bastexhinjve. UEFA nis një hetim, nga i cili nuk zbulohet asgjë. Dyshimet për skuadrat shqiptare shfaqen edhe për ndeshjet e kohëve të fundit. Historike është sfida mes Ekranas dhe Elbasanit, në verën e vitit 2006. Dy orë para fillimit të ndeshjes fillon një valë bastesh në shenjën 1, ndërsa ndeshja mbyllet me rezultatin e pastër 3-0. Por skuadrat shqiptare figurojnë edhe në dosjen aktuale të UEFA-s, atë të ndeshjeve të verës së kaluar.
Besa është e para. Teorikisht duhej të ishte mundur me lehtësi në fushën e serbëve të Bezhanijas, por bastet miliardere vihen se të zotët e shtëpisë nuk do të fitojnë më shumë se me një gol diferencë, ndërsa takimi përfundon 2-2. Në raundin tjetër, Besa pret bullgarët e Liteks Lovec, me shuma të mëdha që vihen në shenjën 2. Rezultati përfundimtar 0-3 siglohet që në përfundimin e pjesës së parë. Ka dyshime edhe për ndeshjen Slaven Belupo-Teuta, pasi bastexhinjtë vënë shuma të mëdha për një goleadë, ndërsa ndeshja mbyllet me rezultatin 6-2", tregon "La Stampa".
Ndeshjet e dyshuara
Dinamo-Brondbi 0-4
Dinamo-Lokeren 0-4
Vllaznia-Dandi 0-2
Ekranas-Elbasani 3-0
Bezhanija-Besa 2-2
Besa-Liteks Lovec 0-3
Slaven Belupo-Teuta 6-2
Burimi: Gazeta Shqip

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›