SIRIZA dështon në formimin e qeverisë së re greke
Partia e majtë radikale greke SIRIZA dështoi për formimin e qeverisë së re, duke çuar në qorrsokak negociatat për formimin e një qeverisje të re pas zgjedhjeve të 6 majit.
Partia Demokracia e Re refuzoi mbrëmë koalicionimin me SIRIZA, pasi sipas saj, kërkesat e kësaj partie të majtë do të çojë vendin drejt një rrënimi.
Demokracia e Re e udhëhequr nga Andonis Samaras të hënën mori mandatin për formimin e qeverisë së re, mirëpo ajo ktheu mandatin për shkak se nuk arriti të arrijë marrëveshjen për formimin e koalicionit qeverisës.
SIRIZA si partia e dytë që doli nga zgjedhjet, dje nuk ka arritur që të arrijë një marrëveshje edhe me partinë socialiste PASOK, e cila i kishte refuzuar çdo bashkëpunim.
Kreu i PASOK, Evangelos Venizelos ka propozuar një qeveri uniteti kombëtar me pjesëmarrjen e Demokracisë së Re, SIRIZA, PASOK dhe të majtës Demokrate, por me një kusht që Greqia të mbetet në eurozonë. Lideri i SIRIZA, Cipras për sot ka planifikuar takimin me presidentin Papulias për t`ia kthyer mandatin për formimin e qeverisë së re.