KOMENT – Rubio përballet me skepticizmin e aleatëve arabë për marrëveshjen e SHBA-së me Iranin

ABU DABI, 23 qershor /ATSH/ – Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio po përballet këtë javë me një mision të vështirë në Gjirin Persik, ndërsa përpiqet t’u shpjegojë aleatëve arabë, marrëveshjen e paqes mes SHBA-së dhe Iranit, e cila ka ngjallur shqetësime se mund të forcojë Teheranin dhe të ndryshojë ekuilibrat e sigurisë në rajon, raportoi “Reuters”.
Rubio pritet të mbërrijë sot në Emiratet e Bashkuara Arabe, përpara vizitave në Kuvajt dhe Bahrein, ku do të takohet me përfaqësues të Këshillit të Bashkëpunimit të Gjirit (GCC), organizata që përfshin gjithashtu Arabinë Saudite, Katarin dhe Omanin.
Në qendër të shqetësimeve, janë disa elementë të draft-marrëveshjes, e cila nuk parashikon kufizime për raketat balistike iraniane, por përfshin një fond rindërtimi prej 300 miliardë dollarësh për Iranin dhe dispozita që mund të zgjerojnë, ndikimin e Teheranit në rajon dhe mbi rrugët strategjike të transportit të naftës.
Të gjashtë vendet e GCC-së janë aleatë të rëndësishëm të SHBA-së dhe strehojnë baza ushtarake amerikane, që konsiderohen shtylla kryesore e pranisë ushtarake të Uashingtonit, në Lindjen e Mesme.
Megjithatë, sipas diplomatëve dhe analistëve, shumë prej tyre janë të zhgënjyer nga marrëveshja paraprake, e cila mund të hapë rrugën për normalizimin e marrëdhënieve mes SHBA-së dhe Iranit.
Për Rubio, i cili ka qëndruar relativisht në prapaskenë gjatë negociatave të fundit, vizita përbën një sfidë diplomatike.
Ai duhet të qetësojë aleatët rajonalë, pa dhënë përshtypjen se po kritikon marrëveshjen e mbështetur nga presidenti amerikan, Donald Trump.
Departamenti amerikan i Thesarit njoftoi dje një pezullim 60-ditor, të disa sanksioneve ndaj Iranit, duke sinjalizuar se Uashingtoni synon të ecë përpara, me zbatimin e pikave kryesore të marrëveshjes.
Një nga shqetësimet kryesore të vendeve arabe lidhet me mungesën e kufizimeve për programin raketor të Iranit.
Gjatë luftës, administrata Trump e kishte paraqitur neutralizimin e kapaciteteve raketore iraniane, si një nga objektivat kryesorë, por kjo çështje nuk përfshihet në memorandum.
Po ashtu, fondi prej 300 miliardë dollarësh, për rindërtimin e Iranit, ka ngritur frikën se Teherani mund të përdorë burimet financiare, për të forcuar ushtrinë dhe për të mbështetur grupet aleate në rajon.
Bahreini, në veçanti, shihet si një nga vendet më të shqetësuara, pasi autoritetet e tij druhen se një Iran më i fuqishëm financiarisht, mund të rrisë ndikimin te komuniteti shumicë shiit në vend.
Një tjetër pikë e debatit, është roli që marrëveshja mund t’i japë Iranit në menaxhimin e Ngushticës së Hormuzit, korridorit detar jetik, për eksportet globale të naftës dhe gazit.
Ndërkohë, zyrtarë amerikanë kanë nisur të flasin për një “rivendosje” më të gjerë të marrëdhënieve me Iranin.
Javën e kaluar, zëvendëspresidenti JD Vance deklaroi se SHBA-ja është e gatshme të “transformojë rrënjësisht” raportet me Teheranin.
Kjo perspektivë ka shtuar rezervat në kryeqytetet arabe të Gjirit, ku shumë liderë druhen se marrëveshja mund të rikthejë Iranin, si një fuqi rajonale më të fortë se më parë. //a.i/