E Diel, 1 Nëntor 2026

MUSKAT – Omani dhe Irani vijojnë bisedimet për menaxhimin e lundrimit në Ngushticën e Hormuzit

MUSKAT, 23 qershor /ATSH/- – Omani dhe Irani kanë rënë dakord sot të vazhdojnë diskutimet mbi administrimin e ardhshëm të lundrimit në Ngushticën e Hormuzit, duke përfshirë shërbimet detare, në këtë korridor strategjik dhe kostot që lidhen me to, raportoi “Reuters”.

Në një deklaratë të përbashkët pas bisedimeve në Muskat, të dy vendet njoftuan krijimin e një grupi të përbashkët pune mes Ministrive të Jashtme, i cili do të vijojë konsultimet dhe do të koordinohet, edhe me shtetet e tjera bregdetare të rajonit, si dhe palët e interesuara.

Lëvizja duket se zbaton një pikë të memorandumit të mirëkuptimit, të nënshkruar javën e kaluar, i cili parashikon që Irani të zhvillojë bisedime me Omanin dhe vendet e tjera të Gjirit, mbi të ardhmen e menaxhimit të lundrimit dhe shërbimeve detare në këtë ngushticë, një nga rrugët më të rëndësishme për furnizimet globale me naftë.

Marrëveshja u bë publike pas vizitës së kryetarit të Parlamentit iranian, Mohammad Baqer Qalibaf, dhe ministrit të Jashtëm Abbas Araghchi, të cilët u takuan me Sulltanin e Omanit, Haitham bin Tariq, dhe zhvilluan bisedime me ministrin e Jashtëm oman, Badr Albusaidi.

Në deklaratë, Omani dhe Irani – dy shtetet që kufizojnë ngushticën – rikonfirmuan angazhimin, për të garantuar kalim të sigurt, në këtë korridor detar, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare, duke theksuar njëkohësisht sovranitetin mbi ujërat e tyre territoriale.

Sipas palëve, që nga përshkallëzimi i konfliktit SHBA–Iran në shkurt, lundrimi tregtar në ngushticë është kufizuar ndjeshëm.

Në këtë periudhë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë vendosur bllokadë ndaj porteve iraniane, pasi Teherani ka kufizuar efektivisht kalimin në ngushticë.

Megjithatë, të dy vendet rikonfirmuan synimin që Ngushtica e Hormuzit të mbetet një rrugë e hapur dhe e sigurt për lundrim ndërkombëtar, duke theksuar rëndësinë e sigurisë detare, lirisë së lëvizjes dhe stabilitetit rajonal. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›