E Diel, 1 Nëntor 2026

FOKUS – Përplasje SHBA-Iran pas bisedimeve në Zvicër, Trump: Teherani ka rënë dakord për inspektime bërthamore të pakufizuara

UASHINGTON, 23 qershor /ATSH/- Presidenti amerikan, Donald Trump deklaroi sot se Irani ka rënë dakord, të lejojë inspektime bërthamore “për një kohë të pacaktuar”, ndërsa Teherani hodhi poshtë këto pretendime dhe këmbënguli se nuk ka arritur asnjë marrëveshje të tillë me Uashingtonin, raportoi “Reuters”.

Deklaratat vijnë pas raundit të parë të bisedimeve të zhvilluara në Zvicër, në kuadër të marrëveshjes së përkohshme të paqes, që synon t’i japë fund më shumë se tre muajve konflikt në rajon.

Sipas zëvendëspresidentit amerikan, JD Vance, takimet me zyrtarët iranianë krijuan një bazë të mirë, për një marrëveshje përfundimtare dhe se Irani kishte pranuar rikthimin e inspektorëve bërthamorë në vend.

Megjithatë, autoritetet iraniane mohuan se gjatë bisedimeve janë diskutuar çështjet e programit bërthamor apo rikthimi i inspektorëve të Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA).

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane, Esmail Baghaei deklaroi se nuk është zhvilluar asnjë takim me kreun e IAEA-s, Rafael Grossi, dhe se nuk ka plane për inspektimin e objekteve bërthamore iraniane, të dëmtuara gjatë luftës.

Trump reagoi më pas në rrjetin social “Truth Social”, duke akuzuar Iranin për “deklarata të rreme”.

“Irani ka pranuar plotësisht inspektimet bërthamore të nivelit më të lartë, për një periudhë të pakufizuar”, shkroi ai.

Presidenti amerikan shtoi gjithashtu se asetet iraniane që do të zhbllokohen, në kuadër të marrëveshjes, do të vendosen në një fond të posaçëm dhe do të përdoren për blerjen e ushqimeve dhe furnizimeve mjekësore nga SHBA-ja.

Nga ana tjetër, ambasadori iranian në OKB në Gjenevë, Ali Bahreini mohoi kategorikisht, ekzistencën e një marrëveshjeje të tillë, duke theksuar se vetëm Irani do të vendosë se si do të përdoren asetet e zhbllokuara.

Pavarësisht mospërputhjeve në deklarata, të dyja palët raportuan përparim në bisedime.

Sipas Bahreinit, në ditët në vijim do të krijohen dy grupe pune, një për heqjen e sanksioneve dhe një tjetër për aktivitetet bërthamore të Iranit.

Ndërkohë, SHBA-ja njoftoi pezullimin e disa sanksioneve ndaj Iranit deri më 21 gusht, duke i lejuar Teheranit të eksportojë naftë dhe produkte, të lidhura me të dhe të marrë pagesat përkatëse.

Diplomatët iranianë theksuan se, përpara se të nisin negociatat për dosjen bërthamore dhe rolin e IAEA-s, duhet të zbatohen plotësisht pikat e marrëveshjes fillestare, të arritur mes palëve.

Bisedimet po zhvillohen paralelisht me përpjekjet për stabilizimin e situatës në Lindjen e Mesme, pas konfliktit që përfshiu Iranin, Izraelin dhe aleatët e tyre në rajon. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›