E Shtunë, 31 Tetor 2026

SKV: Bashkohemi në shesh me punëtorët

Lëvizja studentore për Barazi, Studim -Kritikë -Veprim,është vënë në përkrahje të protestës së punëtroëve të organizuar nga Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës. Ata kanë bërë thirrje që më datën 29, kur edhe planifikohet të mbahen këto protesta që të “bashkohemi në shesh me punëtorët”

“Qeveria e Kosovës në vend se të merret me zhvillimin e ekonomik dhe hapjen e vendeve të reja të punës, ajo po i vazhdon e intensifikon dy proceset tepër të dëmshme për shtetin e Kosovës: Negociatat pa kushte me Serbinë dhe procesin e privatizimit të ndërmarrjeve publike të Kosovës. Qeveria e Kosovës po merret me këto dy procese pasi që është e korruptuar dhe e shantazhuar dhe pasi këto dy procese janë të pashkëputshme mes vete”, thuhet në komunikatën e SKV-së.

Ata përmes një komunikate kanë cekur se punonjësit e vendit tonë janë të shfrytëzuar rëndë, trajtohen çnjerëzishëm ndërsa paguhen vetëm sa për mbijetesë.

“Ngjashëm është gjendja edhe të studentët. Në Universitet janë rreth 50000 studentë të cilët nuk llogaritën si të papunë. Përderisa padrejtësisht paguajnë për tu arsimuar në Universitet publik, ata nuk gëzojnë as edhe të vetmin shërbim nga universiteti, duke hasur në shumë vështirësi banimi, ushqimi si dhe probleme tjera lidhur me literaturën. Pra edhe ky Universitet është shndërruar në biznes, dhe duke pasur si qëllim kryesor fitimin financiar dhe jo atë të dijes, po shkon drejt një privatizimi”, vazhdon komunikata e SKV-së.

Ata kanë paralajmëruar se do të punojnë për pjesëmarrjen sa më të madhe të protestuesve në këtë protestë.

“Lëvizja studentore për barazi-STUDIM KRITIKE VEPRIM mbështet fuqishëm organizimin e protestës së BSPK-së që është paralajmëruar të mbahet me 29 maj. Jemi në dijeni se kohën e fundit ka pasur shumë përçarje brenda BSPK-së por mendojmë se është esenciale që këto të tejkalohen”, ka njoftuar kjo lëvizje studentore./Indeksonline/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›