SLLOVAKI – Ministri i Mbrojtjes: Ukrainës mund t’i duhet të heqë dorë nga një pjesë të territorit për të arritur paqen

BRATISLAVË, 30 dhjetor /ATSH-DPA/- Ministri sllovak i Mbrojtjes, Robert Kalinak tha dje se Ukrainës mund t’i duhet të heqë dorë nga një pjesë të territorit të saj për të arritur paqen.
Duke folur për stacionin televiziv TA3, Kalinak e përshkroi këtë si realitetin e situatës.
Kalinak tha se ishte në interesin e Sllovakisë që lufta në Ukrainë të përfundonte me shpejtësi, duke mbrojtur negociatat dhe një armëpushim.
“Ukraina, ndoshta nuk është në dijeni, se ajo kurrë nuk do të vendoset midis Gjermanisë dhe Zvicrës, por gjithmonë do të ndajë kufirin e saj më të gjatë me Rusinë”, tha ai.
Kaliňák tha se Rusia kishte shkelur ligjin ndërkombëtar përmes pushtimit të saj, i cili filloi në shkurt 2022 – duke shtuar se nuk kishte asnjë dyshim se kush është agresori.
“Por, ne gjithashtu duhet të shohim se çfarë ndodh edhe në rajone të tjera dhe a po zbatojmë të njëjtat standarde për mosmarrëveshjet e tjera”, shtoi ministri.
Tensionet mes Sllovakisë dhe Ukrainës
Tensionet janë rritur kohët e fundit midis Sllovakisë, një anëtare e BE-së dhe NATO-s, dhe fqinjit të saj lindor, Ukrainës.
Kievi është zotuar të ndalojë tranzitin e gazit rus përmes territorit ukrainas më 1 janar, duke zemëruar Sllovakinë.
Ukraina do të humbasë tarifat e tranzitit, të cilat ende po paguheshin nga Rusia, pavarësisht luftimeve.
Por, ajo dëshiron të privojë Moskën nga mundësia për të financuar luftën e saj duke eksportuar gaz në Evropë.
Kryeministri sllovak, Robert Fico paralajmëroi Ukrainën të premten duke deklaruar se vendi i tij, nga ana tjetër, mund të ndalonte furnizimin me energji elektrike.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky e interpretoi paralajmërimin e Fico-s si një urdhër të Kremlinit, duke pasur parasysh vizitën e tij të fundit në Moskë me presidentin rus, Vladimir Putin.
Fico ka kundërshtuar vazhdimisht politikën e Perëndimit ndaj Ukrainës. Takimi i tij me Putinin është kritikuar ashpër nga Kievi dhe BE-ja. //a.i/