E Shtunë, 31 Tetor 2026

SME-te me te mbeshteturat nga bankat gjate muajve te pare te ketij viti

Bizneset e vogla dhe të mesme janë mbështetur më tepër me kredi nga ana e bankave, në tremujorin e parë të vitit.

Kjo dëshmon për prirjen e këtyre bizneseve për t’u zhvilluar dhe mbështetjen e tyre nga sistemi banker.

Bazuar në të dhënat e Bankës së Shqipërisë, për aktivitetit kreditues në periudhën janar-mars 2011, standardet e kredisë për bizneset vijuan të lehtësohen.

Sipas këtyre të dhënave, lehtësimi i standardeve është aplikuar vetëm për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, pasi standardet për kredinë dhënë korporatave kanë mbetur të pandryshuara nga tremujori i katërt i vitit 2010.

Balanca neto e bankave që kanë raportuar për lehtësim të standardeve për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme është +12.2% ose rreth 4.6 pikë përqindjeje më e lartë se në tremujorin e kaluar.

Për sa i përket qëllimit të përdorimit të kredisë, standardet janë lehtësuar me pothuaj të njëjtën masë si për kredinë e marrë për financimin e kapitalit qarkullues, ashtu edhe për atë për qëllime investimi.

Pritjet

Gjatë tremujorit të parë të vitit 2011, kërkesa e individëve për kredi është vlerësuar në rritje nga ekspertët e bankave.

Gjatë këtij tremujori, kërkesa për kredi me qëllim financimin e konsumit dhe ajo për blerje banese u përmirësuan ndjeshëm.

Pothuajse të gjithë faktorët e konsideruar kanë ndikuar pozitivisht në rritjen e kërkesës për kredi nga individët.

Nevoja për financimin e banesës dhe për financimin e konsumit vijojnë të jenë faktorët udhëheqës të kërkesës për kredi.

Sipas qëllimit të përdorimit, ekspertët presin një lehtësim të mëtejshëm të standardeve për kreditë me qëllim blerjen e banesës.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›