E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ekspertët në dilemë për taksën e makinave

27/05/2011  Grupi i punës shqyrton variantet e propozuara nga Transporti Rrugor dhe Dogana

Formula e duhur për taksimin e automjeteve të importuara ende nuk është gjetur. Po mbushen rreth 2 muaj nga koha kur Kryeministri Sali Berisha kërkoi uljen e taksës së makinave të përdorura. Shkak është bërë kërkesa për zhbllokim të tregut, nga vendosja e taksës rreth një vit më parë. Por ekspertët e grupit të punës nuk kanë arritur ende në një konkluzion, nisur edhe nga situata postzgjedhore në vend. Grupet e punës në disa dikastere kanë paraqitur kërkesat dhe opsionet e tyre, për nivelin e ri të taksimit të automjeteve të përdorura që importohen nga jashtë, por detyrimi i Bashkimit Evropian për të mos lejuar shndërrimin e vendit në një varrezë për automjete po e mban akoma pezull këtë proces. Nga njëra anë është kërkesa e autoriteteve doganore që propozojnë heqjen e kësaj tarife dhe nga ana tjetër ekspertët e Drejtorisë së përgjithshme të Shërbimit të Transportit Rrugor kërkojnë që të vendoset një koeficient mbi tarifën e kolaudimit të automjeteve.

Dilema

Ngërçi në tregun e makinave të përdorura vijon, ndërsa efektet negative rëndojnë gjithnjë e më tepër në mbledhjen e të ardhurave. Grupi i punës pranë Ministrisë së Financave është mbledhur disa herë, por diskutimet janë ende në proces. Specialistë të Ministrisë së Financave, asaj të Transporteve, të Mjedisit, Drejtorisë së Doganave dhe asaj të Shërbimit të Transportit Rrugor nuk po bien ende në një mendje për gjetjen e një mënyre taksimi sa më të leverdishme. Aktualisht janë tre variante të propozuara nga DPSHTRR-ja, të cilat pasi të kristalizohen dhe të hidhen në letër do t’i jepen Ministrisë së Financave, e cila do të marrë vendimin përfundimtar. “Është Ministria e Financave, e cila do të vendosë se kush është varianti që ka leverdishmërinë më të madhe edhe në aspektin e procedurave. Kush do të jetë varianti final do të përcaktohet nga grupi i punës dhe Ministria e Financave”, - është shprehur Arben Pinari kreu i DPSHTRR-së për gazetën “Metropol’. Statistikat tregojnë se për pesë muaj, në tregun vendas janë shitur vetëm 1 146 automjete të përdorura, ose bashkë me të rejat 2 882. Ndërkaq, në arkën e shtetit gropa sa vjen e thellohet nga mosmbledhja e kësaj takse. Vetëm për gjashtë muajt e dytë të 2010-ës mungesa në buxhetin e shtetit është 78 milionë lekë të reja. Sipas të dhënave të Drejtorisë së përgjithshme të Shërbimit të Transportit Rrugor, dëmi për këtë institucion është 1,5 milionë lekë të reja, si agjent tatimor që merret drejtpërdrejt me këto transaksione.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›