Gjate ndeshjes, atentati mafioz, vritet i dënuari për trafik droge

Bledar Balliu, i vrarë mbrëmë
Tirane/ Bledar Balliu ekzekutohet me 7 plumba jashtë lokalit ku po shihte Portugali – Spanjë. U akuzua për vrasjen e Aleksandër Koliçit.
Tiranë, viktima i dënuar për drogë, u hetua për Koliçin.
Policia ndjek deri në Vorë një makinë pa targa, dyshohet se transportoi autorin.
Vritet me shtatë plumba në Tiranë Bledar Balliu, personazh i njohur për shkak të arrestimit me akuzën e trafikut të drogës dhe dyshimeve të ngritura ndaj tij për vrasjen e shtetasit Aleksandër Koliçi, muaj më parë në kryeqytet.
Mbrëmjen e djeshme, teksa shihte ndeshjen Portugali-Spanjë, në një lokal në zonën pranë shkollës së mesme “Petro Nini Luarasi”, 35-vjeçari Bledar Balliu është vrarë me armë zjarri në distancë të afërt. Viktima mësohet se ka qenë në një lokal të zonës, i ulur në një tavolinë me 3-4 persona të tjerë. Rreth orës 23:10 ai ka marrë një telefonatë dhe ka dalë jashtë lokalit duke folur në celular. Në këtë kohë, një person, i përshkruar nga dëshmitarët si 25-30 vjeç, i është afruar Bledar Balliut dhe në distancë të afërt ka qëlluar ndaj tij plot shtatë herë. Mbrëmjen e djeshme ka pasur dy variante sa i përket asaj që ka ndodhur më pas. Sipas njërit version, Bledar Balliu mbeti i plagosur rëndë dhe vdiq rrugës për në spital, ndërsa varianti tjetër është se nga plagët e marra ai ka gjetur vdekjen e menjëhershme. Rreth një vit më parë, viktima e vrasjes së djeshme në Tiranë u arrestua nga Policia e Tiranës nën dyshimin se kishte kryer një vrasje. Çështja u hetua nga prokurori Shpëtim Kurti, ndërsa i pandehuri u la i lirë pas 40 ditëve në arrest me burg, pasi Prokuroria nuk paraqiti prova.
Ndjekja e autorit
Policia ka mbërritur brenda pak minutave në vendngjarje, ndërsa sapo është mësuar emri i viktimës, grupi i hetimit është përballur me një emër të njohur për Policinë. Grupi i hetimit ka rrethuar vendin e ngjarjes, ndërsa mësohet se veprimet procedurale janë kryer nën mbikëqyrjen e prokurorit të gatshëm të Tiranës. Policia ka marrë vesh se autori i krimit është larguar nga vendngjarja në këmbë, duke ecur i vetëm dhe, më pas, dyshohet se ka hipur në një automjet të markës “Audi” me portobagazh. Ky automjet, sipas informacioneve të Policisë, ka lëvizur më pas për jashtë Tiranës, duke dalë në autostradën Tiranë-Durrës. Policia është vënë në ndjekje të kësaj makine deri në zonën e Vorës, ndërsa mbrëmë pas mesnate aksioni i policisë vazhdonte ende. Viktima e vrasjes së djeshme, shtetasi Bledar Balliu, ishte arrestuar në mes të muajit korrik të vitit 2011. Akuza që u ngrit ndaj tij nga Policia, ishte se Balliu dyshohej për vrasjen e shtetasit Aleksandër Koliçi. Ky i fundit u vra me armë në oborrin e pallatit të tij në zonën pranë shkollës “Petro Nini Luarasi”. Edhe Koliçi, ashtu si Balliu, ishte arrestuar për trafik droge në vitin 2006 në kuadër të operacionit “Poter -Al”. Pas rënies në pranga, Koliçi kishte pasur konflikt në burg me Bledar Balliun. Shkak ishte bërë fakti se Koliçi kishte nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi me Gjykatën, duke dhënë dëshmi në lidhje me trafikun e drogës. Dyshohet se ky ka qenë shkaku i vrasjes së Aleksandër Koliçit, pasi ai por edhe Bledar Balliu mbaruan dënimet e dhëna ndaj tyre dhe dolën nga burgu. Në vitin 2008, Gjykata e Krimeve të Rënda dha dënimin ndaj Koliçit dhe Balliut. Ky i fundit u dënua me 12 vjet burg dhe 6 milionë lekë gjobë, dhe përftoi nga ulja e 1/3-ës, për shkak të gjykimit të shkurtuar. Aleksandër Koliçi u dënua me 12 vjet burg, por përfitoi uljen e dënimit në 6 vjet, pasi bëri marrëveshje me Prokurorinë e Gjykatën që të dëshmonte trafikun, në këmbim të uljes së dënimit. Dënimi i Koliçit ra në 6 vjet burg dhe më pas u aplikua ulja e 1/3-ës, duke e dënuar përfundimisht të akuzuarin me 4 vjet burg. Vendimi u shpall në vitin 2008 nga Gjykata e Krimeve të Rënda në Tiranë, sipas së cilës Koliçi dhe Balliu kishin bashkëpunuar më parë mes tyre për kryerjen e veprës penale të “trafikimit të narkotikëve”.
Koliçi u vra në korrik të vitit 2011
Aleksandër Koliqi, i vrarë në korrik 2011
Aleksandër Koliçi, 32 vjeç, u vra më 15 korrik 2011 në oborrin e pallatit të tij përballë shkollës “Petro Nini Luarasi”. Ai ndodhej pranë makinës së tij në oborrin e pallatit, kur u qëllua me armë zjarri dhe gjeti vdekjen e menjëhershme. Sipas Policisë, personi i parë ndaj të cilit u ushtrua kontroll pas vrasjes së Aleksandër Koliçit, ishte Bledar Balliu. Atij mësohet se iu gjet edhe një bluzë që besohej se ishte përdorur në vendngjarje, por mungesa e provave të Prokurorisë dhe alibia e 35-vjeçarit sollën lirimin e tij 40 ditë pas arrestimit nga policia.
ETLEVA DELIA
