E Hënë, 2 Nëntor 2026

SPAK përfundon hetimet për vrasjen e Fatbardh Licit, katër të pandehur dërgohen për gjykim

TIRANË, 26 nëntor /ATSH/ Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar përfundoi hetimet dhe dërgoi për gjykim katër të pandehur për vrasjen e Fatbardh Licit. Konkretisht SPAK ka dërguar për gjykim Behar Brajoviq, Safet Rustemi, Astmer Bilali dhe Eria Agon.

SPAK njoftoi se “hetimet në kuadër të këtij procedimi lidhen me disa ngjarje kriminale të ndodhura në qytetin e Shkodrës në vitin 2018. Nga tërësia e provave të grumbulluara rezulton e provuar se mes të pandehurve dhe familjes Lici, kanë ekzistuar konflikte të hershme, të lidhura kryesisht me kontrollin e territorit të qytetit të Shkodrës, të shoqëruara me ngjarje kriminale.

“Pas vrasjes së shtetasve, Boran Bërcana dhe bashkëshortes së tij, Silvi Ndoci (të njohur të të pandehurve) në korrik të vitit 2018, në Shkodër, i pandehur Behar Brajoviq, ia ka atribuar këtë vrasje, shtetasit Ibrahim Lici, nipit të shtetasit, Fatbardh Lici”, njoftoi SPAK.

Sipas SPAK “në dinamikë të këtyre ngjarjeve të ndodhura, i pandehuri Behar Brajoviq, në bashkëpunim të vecantë me të pandehurit, Safet Rustemi dhe Astmer Bilali kanë organizuar dhe vrarë në datën 10.8.2018, në Shkodër, shtetasin Fatbardh Lici, xhaxhain e shtetasit, Ibrahim Lici. Ekzekutori i drejtpërdrejtë ka qënë i pandehuri Astmer Bilali.

“Të pandehurit Safet Rustemi dhe Astmer Bilali kanë përdorur një mjet të vjedhur të markës, Benz ngjyrë gri me targa AA 760FX, i cili rezulton i vjedhur. Ata janë afruar tek vendi ku ndodhej lokali me qira i shtetasit, Sokol Lici, ku çdo ditë pothuajse në të njëjtën orë shkonte dhe pinte kafen, vëllai i tij, viktima Fatbardh Lici, xhaxhai i Ibrahimit. Viktima  ka qenë i ulur jashtë lokalit dhe pasi automjeti është afruar pranë tij, nga dera e pasagjerit ka zbritur i pandehuri Astmer Bilali, i cili ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të tij, duke e lënë atë të vdekur”, njoftoi SPAK.

SPAK theksoi më tej se “më pas mjeti është larguar në drejtim të zonës së Dobraçit, ka hyrë në njërën nga kthesat ku ndodhej banesa e të pandehurit Safet Rustemi dhe më pas është kthyer duke u larguar. Mjeti është djegur po në zonën e Dobraçit. Pasi personat kanë kryer vrasjen, i pandehuri Safet Rustemi ka qëndruar në Shkodër, ndërsa i pandehuri Astmer Bilali është larguar menjëherë drejt Tiranës, së bashku me të pandehurën Eria Ago, e cila rezulton të ketë përkrahur autorët pas kryerjes së vrasjes”.

Behar Brajoviq, Safet Rustemi, Astmer Bilali akuzohen për veprat penale: “Vrasje me paramendim” kryer për hakmarrje në dëm të viktimës Fatbardh Lici, kryer në formë të veçantë të bashkëpunimit, atë të  grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal”; “Mbajtje pa leje të armëve luftarake” kryer në formë të veçantë të bashkëpunimit atë të grupit të struktuar kriminal; “Grup i strukturuar kriminal” në formën e drejtimit dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”. Eria Ago akuzohet për kryerjen e veprës penale “Përkrahja e autorit të krimit”.

/m.q/j.p/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›