SPAK bën bilancin e një muaji: 18 procedime penale për krimin e organizuar e korrupsionin

Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka bërë bilancin e punës së kryer përgjatë muajit mars, teksa njofton se në total janë regjistruar 18 procedime penale, nga të cilat 7 për krimin e organizuar dhe 11 për korrupsion.
Sipas SPAK, janë paraqitur 19 kallëzime, ndërsa për 7 prej të cilave është vendosur mosfillim i hetimeve.
Bazuar në kërkesat e paraqitura nga SPAK, janë miratuar nga Gjykata e Posaçme masa sigurimi personal ndaj 20 personave nën hetim, ndërsa janë sekuestruar 8 pasuri të paluajtshme dhe 2 llogari bankare me vlerë rreth 259.000 euro.
Sipas SPAK, janë ekzekutuar gjithsej 5 vendime penale të formës së prerë, ku të gjitha vendimet kanë marrë formë të prerë në Gjykatën e Posaçme të Apelit, 3 vendime nga Gjykata e Posaçme e Apelit janë ndryshuar me shënimet përkatëse dhe 2 janë lënë në fuqi.
Janë nxjerrë gjithsej 48 urdhra ekzekutimi për 48 persona të dënuar, ndërsa për 2 persona Gjykata ka vendosur burgim të përjetshëm dhe për një person ka vendosur pafajësinë.
Për 20 të dënuar, veç masave të dhëna me dënimet kryesore, SPAK bën me dije se është urdhëruar edhe heqja e të drejtës për të ushtruar funksione publike.
Për 3 vendime penale të formës së prerë janë nxjerrë urdhra ekzekutimi për disponimin e provave materiale ku është bërë konfiskimi apo kthimi i tyre sipas vendimmarrjes se gjykatës.
/rtsh.al/