E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Trump për herë të dytë në Prokurori, këtë herë për mashtrim me bankat

Ish-Presidenti, Donald Trump, mbërriti të enjten në zyrat e Prokurorit të Përgjithshëm të Nju Jorkut, për përballjen e tij të dytë ligjore, mbi praktikat e biznesit të kompanisë së tij. Ai shoqërohej nga avokatja e tij, duke sinjalizuar se këtë herë ai synon t’u përgjigjet pyetjeve, në vend që të përdorë Amendamentin e Pestë që lidhet me mbrojtjen kundër vetëinkriminimit.

“Presidenti Trump jo vetëm që është i gatshëm, por edhe i etur që të dëshmojë para Prokurorit të Përgjithshëm sot”, tha avokatja e tij, Alina Habba, në një deklaratë. 

“Ai mbetet i vendosur në qëndrimin e tij se nuk ka asgjë për të fshehur dhe se mezi pret të flasë me Prokurorin e Përgjithshëm për suksesin e jashtëzakonshëm të kompanisë së tij shumë miliardë dollarëshe.”- tha ajo.

Republikani fillimisht u takua me avokatët e Prokurores së Përgjithshme Letitia James, e cila e paditi Trump vitin e kaluar. 

Padia e saj pretendon se Trump dhe familja e tij mashtruan bankat dhe bashkëpunëtorët e biznesit duke u dhënë atyre informacione të rreme për vlerën e tij neto dhe vlerën e aseteve të tilla si hotelet dhe fushat e golfit.

Padia nuk ka lidhje me akuzat penale për krime të ngritura kundër Trump nga prokurori i qarkut të Manhattanit, që çoi javën e kaluar në akuzën  historike për inkriminim, e para për një ish-president.

Në një postim në mediat sociale të enjten në mëngjes, Trump e quajti padinë “qesharake, ashtu si të gjitha paditë e tjera, lidhur me ndërhyrjen në zgjedhje, që u ngritën kundër meje”. Apnews

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›