SPAK dërgon për gjykim ish-oficerin e policisë gjyqësore për shpërdorim detyre, nxjerrje të sekretit hetimor dhe korrupsion

TIRANË, 7 maj /ATSH/ Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar përfundoi hetimet dhe ka dërguar në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë kërkesën për gjykimin e të pandehurit, Igli Haxhiaj.
Sipas SPAK, i pandehuri është hetuar nën masën e sigurimit “arrest në burg” që prej datës 27 nëntor, i akuzuar për kryerjen e veprave penale: “Shpërdorim i detyrës”, “Zbulim i akteve ose të dhënave sekrete” dhe “Korrupsion pasiv i gjyqtarëve prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të organeve të drejtësisë”.
SPAK njoftoi se procedimet penale ndaj tij janë hetuar në kuadër të një Skuadre të Përbashkët Hetimore me Prokurorinë Distrektuale Antimafia në Breshia, Itali, dhe Prokurorinë Publike të Konfederatës së Zvicrës. Në Shqipëri, hetimet paraprake janë zhvilluar në bashkëpunim me shërbimet e policisë gjyqësore të Drejtorisë së Policisë së Shtetit.
Hetimet e përbashkëta kanë zbuluar veprimtarinë e një grupi të strukturuar kriminal, të përbërë kryesisht nga shtetas shqiptarë, që ka pasur si qëllim trafikimin ndërkombëtar të lëndëve narkotike.
Grupi i strukturuar kriminal operonte nga territori shqiptar dhe me degëzime në territorin italian, duke importuar lëndë narkotike drejtpërdrejtë nga Amerika e Jugut dhe përmes rrugëve tregtare, duke hyrë në portet kryesore të Europës Veriore për ta transportuar më pas në Itali në rrugë tokësore, të fshehur në automjete të rënda. Ndërsa hetimet paraprake të Prokurorisë së Posaçme në kohën kur kanë ndodhur faktet penale kanë qenë të karakterit “sekret hetimor”.
SPAK bëri me dije edhe faktet penale në ngarkim të të pandehurit Igli Haxhiaj.
Sipas SPAK, gjatë fazës së hetimeve paraprake, është vendosur lejimi i përgjimit të bisedave dhe komunikimeve telefonike për disa nga të dyshuarit e grupit kriminal si edhe i bisedave ambientale në dy automjete në përdorim të një prej anëtareve të grupit kriminal (D.M.).
“Për instalimin dhe realizimin e përgjimeve ambientale në dy automjetet e përmendur më sipër si edhe vëzhgimeve apo përgjimeve në vende publike të subjekteve të tjera të këtij procedimi penal është ngarkuar policia gjyqësore në Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit Tiranë.
“Në këtë fazë të hetimeve paraprake, i pandehuri Igli Haxhiaj në cilësinë e oficerit të policisë gjyqësore në Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale, në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, ka qënë pjesë e grupit të hetimit që ka kryer përgjimin dhe vëzhgimin e fshehtë të subjekteve të këtij procedimi penal, duke kryer veprime vëzhgimi ndaj shtetasit D.M. dhe automjeteve në përdorim prej tij”, njoftoi SPAK.
SPAK theksoi se nga hetimet paraprake është provuar se i pandehuri Igli Haxhiaj i ka zbuluar shtetasit D.M. faktin se ky i fundit ka qenë objekt i hetimeve të këtij procedimi penal si edhe i veprimeve që lidhen me përgjimin telefonik dhe vëzhgimin në vende publike. Ai gjithashtu i ka dhënë shtetasit D.M të dhëna dhe i ka zbuluar përmbajtjen e akteve që përbëjnë “sekret hetimor”. Në këto rrethana, provohet se i pandehuri Igli Haxhiaj ka kryer veprën penale “Zbulim i akteve ose të dhënave sekrete”.
Gjithashtu SPAK bën me dije se i pandehuri Igli Haxhiaj e ofronte informacionin në këmbim të përfitimeve monetare, konkretisht të shumës prej 15.000 eurosh.
/m.q/j.p/r.e/