E Hënë, 2 Nëntor 2026

Jaupaj: Shqipëria, plan 10-vjeçar me 66 masa për cilësinë e ajrit dhe klimën

TIRANË, 7 maj /ATSH/ Ministri i Mjedisit, Sofjan Jaupaj prezantoi sot Planin Kombëtar për Ndryshimet Klimatike 2026-2036, i cili parashikon 66 masa prioritare për përballimin e efekteve të krizës klimatike në vend, si zjarret, përmbytjet dhe thatësirat.

Gjatë konferencës për shtyp me gazetarët, Jaupaj tha se masat janë të ndara në ndërhyrje të buta, masa të gjelbra dhe investime infrastrukturore, ndërsa kostoja totale e planit arrin në rreth 9,8 miliardë dollarë.

“Financimi shtetëror për mjedisin po rritet, por mbetet i pamjaftueshëm. Për këtë arsye kemi prezantuar planin pranë Komisionit Europian dhe organizatave ndërkombëtare që ofrojnë grante apo kredi, me synimin për të ndërtuar një plan të qëndrueshëm financimi”, u shpreh Jaupaj.

Një tjetër reformë që pritet të nisë lidhet me modernizimin e sistemit hidrometeorologjik në vend. Ministri Jaupaj tha se shumë stacione meteo dhe hidrologjike janë degraduar ndër vite për shkak të mungesës së investimeve dhe mirëmbajtjes.

Në këtë kuadër, sipas tij, është krijuar një bashkëpunim me operatorin zviceran të hidrometeorologjisë, MeteoSwiss, për të realizuar një reformë të plotë të sistemit. Projekti synon shtimin e stacioneve monitoruese dhe ndërtimin e një sistemi më të saktë për parashikimin e fenomeneve atmosferike dhe rreziqeve natyrore.

“Objektivi është që gjatë viteve 2027-2028 të kemi kalibrimin funksional të sistemit sipas standardeve europiane”, deklaroi Jaupaj.

Ministri Jaupaj u ndal edhe te problematika e cilësisë së ajrit, të cilën e cilësoi si një nga kapitujt më sfidues në procesin e negociatave me Bashkimin Europian. Ai përmendi Tiranën, Elbasanin, Durrësin dhe Korçën si qytete problematike për ndotjen e ajrit.

Sipas tij, Ministria e Mjedisit ka nxjerrë për konsultim publik paketën e re për cilësinë e ajrit, e cila përfshin strategjinë kombëtare 10-vjeçare, planin e veprimit dhe projektligjin e ri të harmonizuar me direktivat europiane.

Jaupaj bëri të ditur se ka nisur bashkëpunimi me Bankën Botërore për financimin e një projekti të plotë monitorimi të cilësisë së ajrit. Projekti parashikon ngritjen e një qendre kombëtare monitorimi dhe vendosjen e stacioneve të matjes sipas standardeve të Agjencisë Europiane të Mjedisit.

Ministri nënvizoi se synimi është që deri në vitin 2028 Shqipëria të ketë një sistem të plotë monitorimi të cilësisë së ajrit, në përputhje me standardet e Bashkimit Europian.

/e.i/j.p/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›