E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

SPAK dorëzon në Kuvend kërkesën për arrestimin e ish-ministrit Arben Ahmetaj

Është depozituar në Kuvend kërkesa e SPAK për arrestimin e ish-Ministrit Arben Ahmetaj, ndaj të cilit rëndojnë katër akuza, për shpërdorim detyre, korrupsion, pastrim parash dhe përfitime të paligjshme.

SPAK ka regjistruar procedim penal ndaj ish-ministrit Arben Ahmetaj për 4 vepra penale ndaj tij. Me anë të një njoftimi, SPAK bën me dije se ka depozituar në Kuvend kërkesën për dhënien e autorizimit të këtij institucioni për arrestimin. Heqjen e lirisë dhe ushtrimin e kontrollit personal dhe të banesës së deputetit Arben Ahmetaj.

Sipas SPAK, Ahmetaj rezulton se ka marrë cilësinë e personit nën hetim, pasi dyshohet se ka kryer veprat penale të “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”, vetëm dhe në bashkëpunim, në formën e deklarimit të rremë, dhe në formën e fshehjes, parashikuar nga neni 257/a paragrafi i dytë, neni 25 i K.Penal”; “Korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë” parashikuar nga neni 260 i K.Penal, 6 (gjashtë) herë;  “Pastrimit të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, në bashkëpunim, më shumë se një herë, parashikuar nga neni 287 paragrafi i dytë i K.Penal.

RTSH ka siguruar dokumentin e SPAK drejtuar Kryeparlamentares Lindita Nikolla duke kërkuar dhënien e autorizimit për arrestimin/heqjen e lirisë dhe ushtrimin e kontrollit personal të banesës së deputetit.

“Mbeshtetur në nenin 73 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, nenin 288 të K.Pr.Penale, si dhe në Rregulloren e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, nenet 13 dhe 118, bashkëlidhur ju përcjellim kërkesën për dhënien e autorizimit nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë, për arrestimin/heqjen e lirisë dhe ushtrimin e kontrollit personal/të banesës së deputetit, në kuadrin e procedimit penal nr. 27/1 të vitit 2022 të Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë’. Duke qenë se hetimet në kuadrin e procedimit penal nr. 277/1 të vitit 2022 vazhdojnë në drejtim edhe të fakteve dhe të fakteve të tjera penale apo personave të implikuar në vendndodhjen e tyre, me qëllim respektimin e kuadrit ligjor procedurial penal mbi ruatjen e sekretit hetimor, bazuar në nenin 73 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, kërkojme që çdo procedurë që do të zhvillohet në lidhje më këtë kërkesë nga Kuvendi i Republikes së Shqipërisë, Keshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, të zhvillohet në seancë me dyer të mbyllura, thuhet në kërkesën e SPAK.

Ish-numri dy i qeverisë Rama ka deklaruar edhe më herët se ishte i gatshëm të paraqitej tek prokurorët sa herë që ata do ta kërkonin.

Bëhet fjalë për përfshirje në ndërtimin e incineratorit të Elbasanit ku po hetohet për shpërdorim detyre dhe korrupsion, si dhe për pastrim parash pas kallëzimit që i është bërë për vilën në bregdetin e Hamallajt.

Kujtojmë se Apeli i Gjykatës së Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (GJKKO) rrëzoi pretendimet e ish-zv.kryeministrit Arben Ahmetaj lidhur me sekuestrimin e dy vilave në emër të ish-gruas dhe bashkëjetueses së tij.

Vilat janë në Hamallaj dhe në Palasë, ndërsa Byroja Kombëtare e hetimit dhe SPAK dyshojnë se ato janë përfituar nga veprimet e jashtëligjshme të ish numrit dy të qeverisë.

Gjatë kontrollit te vila në zonën e Hamallajt, u sekuestruan 30 mijë euro dhe një sërë dokumentesh.

Arben Ahmetaj ka mbajtur postin e Ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Ministrit të Rindërtimit, dhe postin e zv.kryeministrit.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›