Kërkesa e SPAK për Ahmetajn/ Pritet mbledhja e Këshillit të Legjislacionit, hapat që ndiqen

Pas dorëzimit nga SPAK të kërkesës për arrestimin/heqjen e lirisë ndaj ish-ministrit Arben Ahmetaj, pritet që Këshilli i Legjislacionit të Kuvendit të mblidhet gjatë pasdites së sotme (10 korrik) për të marrë një vendim lidhur me kërkesën e Prokurorisë së Posaçme.
Me lëvizjen nga ana e SPAK e cila e akuzon Ahmetaj për 4 vepra penale, konkretisht: për shpërdorim detyre, korrupsion, pastrim parash dhe përfitime të paligjshme; tanimë mbetet që Këshilli i Legjislacionit të marrë vendim për t’i hapur ose jo rrugë SPAK për të bërë kontrollin e banesës së tij, kontrollin e pasurisë dhe kontrollin personal.
Gazetarja Sonila Agostini ka deklaruar për RTSH 24 se procedura ndër të tjera, parashikon që Ahmetaj i shoqëruar nga përfaqësuesit e tij ligjorë, të dalin para anëtarëve të Këshillit të legjislacionit në Kuvendin e Shqipërisë.
Ahmetaj është ‘zhveshur” nga pozita që mbante e zv.kryeministrit, por mban mandatin e deputetit.
“Sipas rregullores së Kuvendit, nenit 14, Këshilli i Legjislacionit i cili përbëhet nga 10 anëtarë do të duhet të mblidhet pas kësaj kërkese të SPAK dhe bazuar në nenet 70,71 dhe 73 të Kushtetutës do duhet të shqyrtojë kërkesën e SPAK për deputetin e Partisë Socialiste. Këshilli i Legjislacionit bazuar në nenit 14 do shqyrtojë kërkesën kur SPAK kërkon arrestimin e deputetit dhe t’i hapet rruga jo vetëm për ndalimin e tij por kontrollin e banesës, pasurive dhe personal.
Këshilli i Legjislacionit sipas informacioneve që unë kam, është çështje orësh para se të mblidhet, mbase gjatë pasdites për të marrë një vendim pas shqyrtimit të kërkesës së SPAK dhe procedura parashikon që pas shqyrtimit të kërkesës vetë deputeti është i detyruar të dalë para Këshillit të anëtarëve të legjislacionit në Kuvendin e Shqipërisë, bashkë me përfaqësuesit e tij ligjorë për të dhënë argumentet se përse duhet ose jo t’i jepet leje SPAK.
SPAK për shkak të peshës së hetimit, ka kërkuar që seanca që do zhvillohet për Ahmetaj do jetë me dyer të mbyllura për shkak të procesit hetimor”, tha Agostini.
/rtsh.al/