E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

SPAK kërkon arrestimin/ Berisha thirrje Ahmetajt: Mos u bëj frikacak, trego si të detyroi Rama të firmosësh

Pas kërkesës së Strukturës së Posaçme Antikorrupsion për arrestimin e ish-zëvendëskryeministrit Arben Ahmetaj, ish-kryeministri Berisha i ka bërë apel atij që të rrëfejë aktet korruptive të Edi Ramës.

Në një konferencë për mediat, Berisha u shpreh se afera e inceneratorëve ka vetëm një emër dhe ai është Edi Rama që sipas ish-kryeministrit e ka detyruar Ahmetajn të firmosë.

“Duke mbështetur pa asnjë hezitim çdo zbatim të ligjit, shtoj këtu se në mënyrë të padiskutueshme, kreu i Meduzës së kësaj afere ka vetëm një emër dhe ai është Edi Rama.

Është Edi Rama ai që firmosi paf-paf, kur s’duhet të firmoste kurrë. Megjithatë, le ta ndjekim procesin.

Nëse më pyet mua ministri i Financave ka përgjegjësitë e veta të padiskutueshme qoftë me veprimin qoftë me mosveprimin”, theksoi Berisha.  

Për këtë arsye, Berisha i bëri thirrje ish-zvënedëskryeministrit që të tregojë për publikun të gjitha shkeljet dhe aktet korruptive të Edi Ramës.

“Ka disa vende që nuk ka firmosur por nuk ka vepruar në këtë çështje. Uroj t’u thotë shqiptarëve që si ia imponoi Edi Rama, ku ishte kur Edi Rama i shkoi me avion për t’i imponuar firmosjen.

Por nga ana tjetër, ligji nuk ka frikë kurrë për frikacakun, se ligji nuk e njeh mëshirën. Nuk po ia them këtë si rrethanë lehtësuese, por të paktën si një detyrim i fundit t’u thotë shqiptarëve; ku ishte kur Edi Rama i shkoi me avion të posaçëm për t’i marrë firmën”, përfundoi Berisha.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›