Kërkesa e SPAK për arrestimin e Ahmetajt/ Basha: Rruga për të pastruar politikën, t’i shkojë edhe Ramës

Ish-kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka reaguar pas kërkesës së SPAK drejtuar Kuvendit për arrestimin e ish-zëvendëskryeministrit, Arben Ahmetaj.
Në një reagim në Facebook, Basha shkruan se s’ka rrugë tjetër për Shqipërinë përveçse pastrimi i politikës nga elementët korruptivë.
“Nuk ka rrugë tjetër për Shqipërinë dhe shqiptarët përveç asaj që dikton pastrimi i politikës nga të gjithë ata që kanë shpërdoruar besimin e qytetarëve, duke i shërbyer interesave korruptive dhe klienteliste”, shkruan Basha.
Sipas Bashës, kërkesa e Strukturës së Posaçme Antikorrupsion për arrestimin e Ahmetajt, erdhi pas denoncimit prej kohësh të PD-së për aferën e inceneratorëve.
Ai bën thirrje që SPAK të mos ndalet me kaq por të shkojë deri te kryeministri Edi Rama.
“Kërkesa e SPAK për arrestimin e Arben Ahmetaj, pas një beteje të gjatë të Partisë Demokratike për aferën e inceneratorëve, duhet përshëndetur por nuk mund të ndalet me kaq. Promotori dhe mbrojtësi i shpërdorimit të 430 milionë eurove të shqiptarëve është Edi Rama.
Drejtësia duhet të shkojë deri në fund, sepse askush nuk mund të jetë mbi ligjin! Sot është më jetik se kurrë vetting-u i politikanëve, verifikimi i pasurive dhe lidhjeve të tyre me krimin që mbajnë peng Shqipërinë, dhe godasin sigurinë dhe mirëqenien e familjeve shqiptare”, shkruan Basha.
/rtsh.al/