SPAK merr në pyetje Argita Malltezin, vajza e Berishës: Më ka paditur Irena Gjoka

Vajza e ish- kryeministrit Berisha, Argita Malltezi u paraqit në SPAK. Malltezi është kallëzuar në Prokurorinë e Posaçme pas deklaratave publike se gjyqtarja Irena Gjoka që kishte në dorë çështjen e babait të saj, është e korruptuar e ka marrë 500 mijë euro.
Ka qenë vetë gjyqtarja, ajo që i kërkoi SPAK të hetojë deklarimet e Argita Malltezit. Pas daljes nga prokuroria, ajo tha se SPAK është shndërruar në muze turpi.
“Isha thirrur në funksion të çështjes 193 të vitit 2024. Mesa duket gjyqtarja Irena Maneku, Gjoka, ka kërkuar të hetohet për kallëzim të rremë ndaj meje dhe SPAK ka hapur procedim. Në një tentativë që duart të lajnë fytyrat që nuk mund të lahen, çdo tentativë për të mbyllur gojën e oponencës është një tentativë për të nxjerrë institucionet publike nga kontrolli publik, tentativë që do të dështojë. Kjo godinë shumë shpejt do të kthehet në një muze të turpit të kapjes së drejtësisë”, deklaroi Malltezi.
Argita Malltezi u shfajësua duke thënë se deklarimet i ka bërë nisur nga shkrimet mediatike.
“I jam referuar shkrimeve që ekzistonin në media që e akuzonin zonjën në fjalë për ato të cilat ajo nuk i kundërshton dot dhe nuk i ka kundërshtuar. Ajo megjithatë ka kërkuar që Dumani t’i lajë fytyrën. Vë në dyshim standardin e dyfishtë të kësaj godine këtu. Unë dhe Jamarbri kemi bërë disa kallëzime për çështje konkrete për falsifikim aktesh konkrete”, tha Argita Malltezi.
Aktualisht SPAK ka mbyllur hetimet për privatizimin e ish-klubit sportiv Partizani. Për këtë dosje është marrë i pandehur, ish-kryeministri, Sali Berisha dhe burri i Argita Malltezit, Jamarbër Malltezi. Vendimi nëse kjo dosje do kalojë apo jo për gjykim, pritet të merret në 20 janar.