E Hënë, 2 Nëntor 2026

SPAK pyet Dakon për Jurgis Çyrbjen, ish-kryebashkiaku i Durrësit jep shpjegime për listat e deputetëve të vitit 2021

Vangjush Dako, ish kryebashkiaku i Durrësit i dënuar për “shpërdorim detyre”, sot u pyet nga SPAK për ish- deputetin e arrestuar të PS, Jurgis Çyrbja.

Dako mbërriti në Gjykatë i shoqëruar nga makina e policisë, pasi ai ndodhet në “arrest shtëpie” derisa vendimi të marrë formë të prerë.

Sot ish-kreu i bashkisë Durrës u pyet në cilësinë e personit që mund të ketë dijeni për listat e deputetëve të vitit 2021, ku Jurgis Çyrbja në renditje ishte i pesti.

Pas një ore ai e la Prokurorinë por nuk pranoi të flasë për mediat.

Ish-ligjvënësi socialist u arrestua në 20 tetor për vepra të rënda penale.

Njëra prej tyre është ajo e përkrahjes së autorit të krimit, ku bëhet fjalë për pronarin e shpallur në kërkim dy herë nga drejtësia shqiptare, Altin Hajri.

Ky i fundit, është pronari i kompleksit “Golden” në Shijak, ndërsa SPAK në dosjen “Çyrbja” e akuzon për korrupsion zgjedhor në favor të ish- deputetit.

Lidhja mes tyre, sipas dosjes së Prokurorisë ka qenë e vazhdueshme dhe e ndërsjellë, ku Hajri blinte vota për Çyrben, ndërsa ky i fundit e sinjalizonte që t’i fshihej drejtësisë.

Ndërkaq, dje Altin Hajri doli sërish në skenë, pas një atentati ku autor i dyshuar është pikërisht kunati i tij, vëllai i gruas.

Ish kryeministri i vendit, Sali Berisha fajsoi për lirimin e kunatit të tij, prokurorin e posaçëm, Olsi Dado. Pak më vonë SPAK e përgënjestroi lajmin.

/vizionplus.tv

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›