SPAK zgjeron hetimet për TIMAK, në fokus edhe biznesi i kuajve në resortin e Agasit

SPAK ka zgjeruar hetimet mbi aktivitetin e kompanisë TIMAK dhe partneritetin e saj me kompaninë shtetërore KAYO, ndërsa në fokus të veprimeve hetimore janë vendosur edhe lidhjet e biznesit me aktivitete të tjera të Arjeta Pucës dhe Ron Yeffet.
Ron Yeffet zotëron 49% të kompanisë TIMAK sh.p.k., ndërsa TIMAK zotëron 80% të kompanisë TIMAK Defence. Pjesa tjetër, 20%, zotërohet nga kompania shtetërore KAYO.
Në kuadër të hetimit të SPAK, ditët e fundit janë kryer kontrolle në banesën e biznesmenit Ron Yeffet, në banesën dhe biznesin e Arjeta Pucës, si dhe në ambiente të lidhura me Ministrinë e Mbrojtjes. Sipas raportimeve mediatike, gjatë kontrolleve janë sekuestruar dokumente dhe materiale që lidhen me procedurat e tenderëve dhe aktivitetin e kompanive.
Një tjetër element që po tërheq vëmendjen në hetim është krijimi i kompanisë “Timak Horse Club”. Dokumentet e publikuara në media tregojnë se kompania është krijuar më 23 mars 2026 dhe ka si aktivitet mbarështimin dhe trajnimin e kuajve, qendrën e hipizimit, import-eksportin e kuajve dhe organizimin e aktiviteteve sportive e rekreative.
“Timak Horse Club” është vendosur në ambientet e “Equos Resort” në Petrelë, kompleks i lidhur në dokumentet dhe raportimet publike me biznesmenin Ergys Agasi. Sipas raportimeve, krijimi i kompanisë ka ndodhur ndërkohë që Agasi ishte shpallur në kërkim nga autoritetet.
“Equos Resort” është përmendur edhe në dosjen hetimore ndaj Ergys Agasit. Në korrik 2026, në ambientet e resortit u sekuestrua një automjet në pronësi të Agasit, brenda të cilit hetuesit raportuan se gjetën materiale dhe diagrame me të dhëna të ngjashme me ato të prodhuara nga SHISH.
Sponsorizuar
Hetimi ndaj TIMAK dhe KAYO lidhet me procedimin penal 62/2026. SPAK ka kryer kontrolle në kuadër të kësaj dosjeje, ndërsa një prej veprimeve të fundit ka qenë edhe kontrolli ndaj Ron Yeffet. Hetimi është zhvilluar pas denoncimeve dhe publikimit të audiopërgjimeve ku janë ngritur pretendime për trafik armësh.
Në këtë fazë, SPAK po verifikon edhe kontratat dhe procedurat e lidhura me Ministrinë e Mbrojtjes, ndërsa hetimet po shtrihen në dyshimet për abuzim me fondet, shpërdorim detyre, favorizim në tendera dhe pastrim parash.
Sipas informacionit të raportuar, Arjeta Puca dhe Ron Yeffet pritet të merren në pyetje nga SPAK gjatë kësaj jave, në vijim të kontrolleve dhe sekuestrimeve të kryera nga hetuesit.
Hetimi është në zhvillim dhe çdo përgjegjësi eventuale penale do të përcaktohet nga organet e drejtësisë në përfundim të procedurës.a.b