Shqipëria dhe Mali i Zi mund të emërojnë komisioner në Bruksel para anëtarësimit në BE

Shqipëria dhe Mali i Zi mund të emërojnë komisionerët e tyre në Bruksel dhe t’i përfshijnë në punën e Komisionit Evropian përpara anëtarësimit zyrtar në Bashkimin Evropian. Propozimi është zbuluar nga media belge “Rapporteur”, e cila i referohet planit të ri për strategjinë e zgjerimit të Unionit.
Sipas këtij propozimi, dy vendet kandidate do të mund të përfshihen më herët në hartimin e politikave evropiane, pa pritur përfundimin e procedurave kombëtare të ratifikimit nga të 27 shtetet anëtare të BE-së, një proces që mund të zgjasë në kohë.
Komisionerët shqiptarë dhe malazezë do të mund të marrin pjesë në punën e Kolegjit të Komisionerëve dhe të kontribuojnë në formësimin e legjislacionit evropian. Deri më tani, kjo e drejtë u është rezervuar përfaqësuesve të vendeve anëtare të Unionit.
Në dokumentin e publikuar nga media belge, Komisioni Evropian argumenton se është e justifikuar që një vend në proces anëtarësimi të ketë mundësinë të emërojë një komisioner gjatë kësaj periudhe.
“Komisioni Evropian e konsideron të justifikuar mundësinë që një vend që po anëtarësohet në union duhet të emërojë një Komisioner gjatë kësaj periudhe”, thuhet në dokument.
Më tej, dokumenti parashikon se një komisioner i tillë mund të marrë pjesë në punën e Kolegjit për çështjet përkatëse, duke respektuar autonominë, kolegjialitetin dhe përgjegjësinë kolektive të këtij organi drejtues të BE-së.