E Diel, 1 Nëntor 2026

SPANJË – Zelensky takohet me mbretin Felipe VI dhe udhëheqësit politikë

MADRID, 18 nentor /ATSH-DPA/- Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky u takua sot me presidenten e parlamentit spanjoll, Francina Armengol, dhe presidentin e Senatit, Pedro Rollán, në fillim të vizitës së tij zyrtare në Madrid.

Pas vizitës në “Congreso de los Diputados”, Dhomën e Ulët të parlamentit, dhe takimit me përfaqësuesit e industrisë së mbrojtjes, Zelensky do të pritet sot pasdite nga mbreti Felipe VI, dhe nga kryeministri spanjoll Pedro Sanchez.

Nuk pritet të nënshkruhen marrëveshje gjatë vizitës së tretë të Zelensky në Spanjë.

“Në kuadër të luftës kundër Rusisë, vizita e Zelensky do të jetë një mundësi për të rikonfirmuar angazhimin e Spanjës ndaj Ukrainës në të gjitha fushat”, tha qeveria në Madrid.

Sanchez dhe Zelensky do të mbajnë një konferencë të përbashkët për shtyp pas takimit të tyre.

“Angazhimi i Spanjës ndaj Ukrainës është afatgjatë. Madridi mbështet sovranitetin, integritetin territorial dhe mbrojtjen e popullit ukrainas për aq kohë sa kjo luftë do të zgjasë”, tha ministri i Jashtëm, Jose Manuel Albares.

Përpara vizitës, Zelensky shkroi në X se shpresonte që një vend tjetër i fortë do të rriste mbështetjen e tij – për të mbrojtur jetët njerëzore dhe afruar fundin e luftës.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky dhe presidenti francez, Emmanuel Macron nënshkruan dje një memorandum mirëkuptimi, në Paris – që i lejon Ukrainës të blejë pajisje ushtarake me vlerë miliarda euro nga Franca, duke përfshirë dhjetëra avionë luftarakë “Rafale”, sisteme të mbrojtjes ajrore, bomba dhe dronë.

Zelensky shkroi në X se udhëtimi i tij në Spanjë do të pasohej nga një vizitë për bisedime në Turqi. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›