E Hënë, 2 Nëntor 2026

Bylykbashi paraqitet në SPAK: Isha në cilësinë e kallëzuesit për aferën e EcoPark-ut

TIRANË, 18 nëntor /ATSH/ Deputeti i Partisë Demokratike, Oerd Bylykbashi u paraqit sot në Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Në një dalje për mediet, pasi u paraqit në SPAK, Bylykbashi bëri të ditur se ishte në cilësinë e kallëzuesit në lidhje me dosjen për Ecopark në Durrës.

“Unë sot ishte këtu në cilësinë e kallëzuesit, si një prej kallëzuesve, deputet i Partisë Demokratike, për aferën e EcoPark-ut. Është një kallëzim i cili është bërë në mars të 2024 dhe që është bashkuar me çfarë kuptoj dhe me një procedim që ka nisur më herët, kryesisht nga Prokuroria e Posaçme. Isha thirrur në cilësinë e personit që ka dijeni mbi faktet. Unë jam një nga kallëzuesit, është një grup deputetësh, një kallëzim i bazuar mbi hetime të ekspertëve antikorrupsion dhe ligjorë të PD-së”, tha Bylykbashi.

“Kallëzimi është publik, është një çështje që ne e kemi denoncuar që në atë kohë që është një aferë e pastër korruptive, ku është kontraktuar për 19 milionë euro dhe një kompani që është lidhur drejtpërdrejt me kompaninë e inceneratorëve, me Integreted Energy, e ka bërë për vetëm për 6 milionë e gjysmë euro. Pra 12 milionë e gjysmë euro të shqiptarëve janë vjedhur”, tha Bylykbashi.

Bylykbashi tha se hetimet janë drejt fundit.

“Unë besoj se do t’i bazohem asaj që tha Dumani në Komisionin e Ligjeve, ku tha se është në përfundim hetimi. Dua të respektoj edhe sekretin e veprimeve hetimore. Është një çështje që prek drejtpërdrejt zonën zgjedhore, bashkinë Durrës, dhe kam pasur interes të veçantë”, përfundoi deputeti i PD-së.

/m.q/j.p/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›