E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

SHBA – Trump: Zelensky mund të rikthehet kur të jetë gati për paqe

UASHINGTON, 28 shkurt /ATSH-DPA/ – Presidenti i SHBA Donald Trump shkroi në mediet sociale se presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky mund të “rikthehet kur të jetë gati për paqe”, pas një tensioni të jashtëzakonshëm në takimin e sotëm mes të dyve në Shtëpinë e Bardhë.

Postimi i Trump në platformën e tij Truth Social erdhi pasi mediet amerikane raportuan se liderët ndërprenë takimin e tyre dhe anuluan një konferencë për shtyp që ishte planifikuar.

Pak më herët, para se të shkonin në takimin e tyre me dyer të mbyllura, një bisedë me britma u shfaq para kamerave dhe gazetarëve brenda Zyrës Ovale, pasi Trump akuzoi Zelenskyn se ishte ”mosmirënjohës ndaj ndihmës së SHBA-së” dhe se ”nuk dëshironte të bënte paqe me Rusinë”.

”Është e mahnitshme ajo që del përmes emocioneve dhe unë kam vendosur që presidenti Zelensky nuk është gati për paqe nëse përfshihet Amerika, sepse ai mendon se përfshirja jonë i jep atij një avantazh të madh në negociata”, shkroi Trump në Truth Social.

“Unë nuk dua përparësi, dua PAQE. Ai nuk respektoi Shtetet e Bashkuara të Amerikës në Zyrën e tyre të dashur Ovale. Ai mund të rikthehet kur të jetë gati për paqe”, tha Trump./ a.jor.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›