Deralla: Masat për mbrojtjen e konsumatorit nuk kanë sjellë kufizim të kredisë

TIRANË, 28 shkurt /ATSH/ Mbrojtja e konsumatorëve dhe ulja e riskut të kredive me probleme në institucionet mikrofinanciare është fokus i paketës të masave, të ndërmarra nga Banka e Shqipërisë, që ka hyrë në zbatim në fillim të këtij muaji.
Deniz Deralla, drejtor i Departamentit të Mbikëqyrjes në Bankën e Shqipërisë, shpjegoi se, “paketa rregullative për mbrojtjen e konsumatorit, parashikon uljen e interesit maksimal për kreditë e vogla konsumatore, masa për të parandaluar ngarkesën e individëve me borxh përtej aftësive paguese dhe rregulla të reja për transparencën në reklamimin e produkteve financiare”.
Në një intervistë për mediet ai tha se, “vitin e kaluar konsumatorët u dëmtuan nga veprimtaria e dy institucioneve që merreshin me mbledhjen e kredive të këqija dhe për këto dy institucione BSH ndërmori masa ekstreme, pasi i hoqi licencat e tyre, por njëherazi u vërejt se ishte e nevojshme vlerësimi i kuadrit rregullativ për mbrojtjen e interesave të konsumatorit”.
Sipas tij, “nëse deri në atë moment kishim gjykuar që analiza financiare apo mbingopja e klientëve me kredi ishin elementë që trajtoheshin normalisht nga institucionet financiare vendosëm që këto elementë t’i përfshinim në rregullore, duke i bërë të detyrueshme për zbatim, pavarësisht ‘oreksit’ për risk të institucioneve financiare”.
Ai tha se, “tashmë kemi limituar numrin e kredive që mund të marrë një individ pranë këtyre institucioneve, kemi vendosur të detyrueshme analizën financiare të mundësisë paguese të klientëve dhe kemi vazhduar me uljen e normës së interesit”.
“BSH ka ulur normën e interesit deri në 4 herë këto vitet e fundit. Ndërsa paketa e re rregullatore e masa për mbrojtjen e konsumatorit nuk ka sjellë kufizim të kredisë, madje ka forcuar këto institucione për uljen e kredive të këqija”, tha Deralla.
Sipas tij, në këtë paketë janë vendosur disa elementë që janë pjesë e direktivës europiane të mbrojtjes së konsumatorit që në Europë hyjnë në fuqi vitin e ardhshëm dhe i adresohen kryesisht marketimit të disa produkteve. Në këtë kontekst institucionet duhet të japin mjaft të qartë kuptimin e produktit që konsumatori duhet të gjejë në këtë institucion qofshin banka apo jobanka.
Ai deklaroi se, “masat rregullative do të sjellin mosmarrjen e kredisë nga konsumatorët që nuk e kanë mundësinë e marrjes së një kredie që në rastet se kreditohet do të kthehet në një problematikë sociale dhe ekonomike edhe për vetë institucionet, në një kohë kur treguesi i kredisë me probleme tek institucionet jo banka është tre herë më i lartë se në institucionet financiare banka”. /j.p/