E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

SHBA – Trump pret Zelenskyn në Shtëpinë e Bardhë për bisedime kritike mbi Ukrainën

UASHINGTON, 28 shkurt /ATSH/ – Presidenti Donald Trump po pret në këto momente presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky në Shtëpinë e Bardhë për një takim dypalësh dhe për një konferencë shtypi, ku liderët pritet të diskutojnë përpjekjet e SHBA për t’i dhënë fund luftës dhe potencialisht të nënshkruajnë një marrëveshje për mineralet e rralla, sipas CNN.

Trump nuk iu përgjigj pyetjeve nga gazetarët nëse të dy liderët do të nënshkruanin një marrëveshje sot, por teksa i shtrëngoi dorën Zelenskyt, Trump bëri shaka duke thënë se lideri ukrainas ”dukej elegant”.

Marrëveshja do t’i ofronte SHBA-së qasje të lehtë në pasuritë minerale të pashfrytëzuara të Kievit në këmbim të investimeve dhe atë që Ukraina shpreson se do të ishin garanci konkrete të sigurisë.

Detajet e marrëveshjes mbeten të paqarta, por analistët thonë se kjo mund të çojë në negociata më të gjera paqeje.

Vetëm disa ditë pasi e quajti presidentin e Ukrainës një diktator, Trump zbuti tonin e tij përpara takimit, duke u thënë dje gazetarëve se ”unë kam shumë respekt për të”.

Trump u takua me presidentin francez Emmanuel Macron të hënën dhe kryeministrin e Mbretërisë së Bashkuar Keir Starmer të enjten, ndërsa liderët evropianë kërkuan të merrnin garanci sigurie për Ukrainën dhe u përpoqën të rreshtoheshin me Trump pasi u ndërprenë nga bisedimet SHBA-Rusi për përfundimin e luftës./  a.jor.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›