E Premte, 6 Nëntor 2026

STOKHOLM – Scholz kundër modelit suedez të shërbimit të detyrueshëm ushtarak

STOKHOLM, 14 maj /ATSH-DPA/- Kancelari gjerman Olaf Scholz nuk e mbështet modelin e Suedisë dhe rikthimin e shërbimit të detyrueshëm ushtarak.

Gjatë një vizite sot në Stokholm, Scholz u pyet nga gazetarët nëse përputhja me vendimin e Suedisë mund të ndihmonte në plotësimin e mungesës së personelit në forcat e armatosura të Gjermanisë.

“Në fund të fundit, kjo ka të bëjë me atë se si ne mund të bindim burrat dhe gratë të punojnë në Bundeswehr dhe të gjejnë një punë për veten e tyre atje”, tha Scholz.

Gjermania kishte një formë të rekrutimit deri në vitin 2011.

“Kjo nuk do të funksiononte më. Kishte shumë më shumë ushtarë, kishte shumë më shumë kazerma, kishte shumë më tepër infrastrukturë që duhej të ndërtohej. Asgjë nga këto nuk nevojitet sot, as nuk është një plan që dikush po ndjek”, tha Scholz.

Bundeswehr-i do të rritet nga 182 000 në 203 000 ushtarë deri në vitin 2031.

Ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius po shqyrton opsionet e tij.

“Propozimet janë duke u diskutuar”, tha Scholz.

“Por, ato nuk janë aspak të krahasueshme me atë që kishim në Gjermani. Prandaj është mirë që po presim derisa të kemi një ide të balancuar”, shtoi kancelari gjerman.

Kristiandemokratët ishin në pushtet kur gjermanët pezulluan rekrutimin 13 vjet më parë, por javën e kaluar votuan për të anuluar gradualisht vendimin nëse partia fiton zgjedhjet në 2025.

Suedia rifuti shërbimin e detyrueshëm ushtarak në 2017 pasi ishte pezulluar në 2010.//a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›