E Hënë, 2 Nëntor 2026

STRASBURG – Parlamenti Evropian bën thirrje për njohjen e shtetit të Palestinës

STRASBURG, 11 shtator /ATSH/- Asambleja e BE-së votoi në favor të një rezolute jo-detyruese, të dakordësuar nga grupet e shumicës qendrore, sipas “Euronews”.

Parlamenti Evropian miratoi sot një rezolutë që u bën thirrje shteteve anëtare të BE-së të shqyrtojnë njohjen e Shtetit të Palestinës, me qëllim arritjen e një zgjidhjeje me dy shtete.

Ndërsa Parlamenti ka mbështetur njohjen në parim të shtetësisë palestineze në të kaluarën, kjo rezolutë e re duket të jetë një thirrje më e drejtpërdrejtë për qeveritë kombëtare për të vepruar.

Rezoluta u miratua me 305 vota pro, 151 kundër dhe 122 abstenime. Sipas eurodeputetit socialist italian, Nicola Zingaretti, ky ishte rezultat i negociatave të hollësishme midis grupeve politike mbi amendamente të ndryshme.

Votimi ishte i gjatë dhe i tensionuar, dhe anëtarët e Parlamentit, madje kërkuan një pauzë për të kontrolluar votat e amendamenteve mbi Gazën, përpara se të vazhdonin me votimin përfundimtar mbi rezolutën në tërësi.

Një pikë tjetër e diskutueshme në rezolutë ishte përdorimi i termit “gjenocid” për të përshkruar sulmet e Izraelit në Gazë.

Formulimi “veprime gjenocidale” përfundimisht u refuzua dhe u përjashtua nga dokumenti. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›