STUDIMI/ 1 në 12 ushtarakë në Shqipëri ka rënë pre e abuzimeve seksuale nga kolegët
1 në 12 ushtarakë të Forcave të Armatosura pranon se ka qenë pre e ngacmimeve apo abuzimeve seksuale nga kolegët e tyre. Statistikat e frikshme kanë dalë në pas një studimi disamujor për barazinë gjinore në Forcat e Armatosura shqiptare, konkluzionet e të e cilit u bënë publike në Qendrën e Kulturës, Medias dhe Botimeve të Mbrojtjes.
Ndërsa të dhënat e deklaruara nxjerrin në pah gjendjen dhe nivelin e Forcave tona të Armatosura, gjatë fjalës së saj, zv/ministria e Mbrojtjes ka deklaruar se ushtria shqiptare ka arritur suksese të konsiderueshme, duke e renditur Shqipërinë të dytën, pas Holandës në NATO.
Raporti
Raportin studimor për Vetëvlerësimin Gjinor në Forcat e Armatosura e ka prezantuar znj. Mirela Rrumbullaku, kryetare e grupit të punës dhe është bazuar mbi anketimet në çështje si: dhuna me bazë gjinore, ngacmimet seksuale, diskriminimi në punë. Anketimit iu përgjigjën gjithsej 170 persona, 83 femra, 87 meshkuj, duke përfshirë të gjitha gradat.
Në total 14 ushtarakë, nga të cilët 11 femra dhe 3 meshkuj, kanë pohuar se kanë qenë pre e këtyre ngacmimeve, të cilat më pas nuk kanë preferuar ti denoncojnë pasi nuk kishin besim tek zgjidhja e tyre.
Në raport theksohet mungesa e një rregulloreje të brendshme specifike, për të adresuar problemet që lidhen me ngacmimet seksuale brenda Forcave të Armatosura, ku shumica e të anketuarve shprehin mendimin që të tilla ngacmime më mirë të mos raportohen apo bëhen publike.
E ndërsa në raport evidentohen rastet problematike, zv/ministrja e Mbrojtjes, Arta Musaraj, përfshirjen e grave nën uniformën e Forcave të Armatosura e shikon si një arritje të qeverisë Berisha.
Sipas saj, falë politikave efikase të ministrisë, sot 26% e burime njerëzore në Forcat e Armatosura janë femra.
Musaraj deklaroi se janë bërë përparime të rëndësishme në përfaqësimin e femrave në funksione treguese vendimmarrëse, ku sipas saj, nga 9% që ka qenë në vitin 2011, tani kemi 15% femra në këto funksione.
Mund të themi me krenari se kemi një përfaqësim të denjë të tyre në misione dhe në përfaqësitë tona ushtarake jashtë vendit. Me përmbushjen e këtij procesi, Shqipëria bëhet vendi i dytë anëtar i NATO pas Holandës, që realizon suksesshëm këtë arritje. Kjo është një dëshmi më shumë e maturisë dhe e kompetencës së fituar, e Ministrisë së Mbrojtjes shqiptare, si anëtare e denjë e NATO dhe e standardeve të arritura prej saj përmes një menaxhimi efektiv dhe efiçent të resurseve të veta, ka nënvizuar Musaraj.
