SUPLEMENT/Letrat më të famshme të dashurisë të të gjitha kohërave
Si e shprehnin dashurinë mbretërit, perandorët e shkrimtarët e njohur. Letrat që iu dërgonin të dashurave të tyre. Shprehjet e përkushtimit, xhelozisë e anktheve.
Kanë pushtuar popuj me miliona banorë, por kanë qenë rob i një njeriu të vetëm. Kanë qenë të lavdishëm e të papërkulshëm, po një njeri i vetëm i ka bërë aq sa melankolikë dhe të thyeshëm. Autorë të më të mëdhenjve veprave pa limit fantazie, po aq sa pengje të një letre dashurie. Zot, çfarë do të bëhet me mua, tani që ti më ke privuar nga arsyeja? i shkruan mbreti i letërsisë franceze, Honore de Balzak konteshës polake Evelina Hanska. Një tjetër shkrimtar, Volteri, për hir të dashurisë do të arratisej nga burgu për të qenë pranë të dashurës së tij Olymbe Dunover, një vajzë e varfër që ai e dashuronte marrëzisht. Unë jam burgosur këtu në emër të mbretit; ata mund të më marrin jetën, por jo dashurinë që ndjej për ty, i shkruan në vitin 1713 të dashurës së tij, disa minuta para se të arratisej. Por dashuria nuk është e bukur vetëm në letrat e shkrimtarëve, por edhe në atë të udhëheqësve. Ti je jeta në mua. Kur ti nuk je pranë meje, unë pres kthimin tënd që të filloj të jetoj sërish, i shkruan presidenti amerikan, Ronald Regan, bashkëshortes së tij për 31 vjetorin e martesës. Edhe Napoleoni, perandori i egër francez i shkruante me ëmbëlsi Zhozefinës, bashkëshortes së tij të parë. Zhozefinë, do të të shoh brenda tri orëve. Deri atëherë, e dashura ime e ëmbël të dërgoj njëmijë puthje, por mos më jep asnjë si shkëmbim, pasi ato ma ndezin gjakun më keq. Tirana Observer boton letrat më të famshme të dashurisë. Çfarë i shkruanin mbretërit, perandorët e presidentët vajzave që u kishin robëruar zemrat? Fjalët e ëmbla të Hygoit, Gëtes, Xhek Londonit, Xhejm Xhojsit dhe dashuritë e vështira të Franz Kafkës, Lord Bajronit e Bethovenit.
Napoleoni i shkruan bashkëshortes së tij, Zhozefinës,
Paris (1795)
Kam ecur me mendjen mbushur me mendimet për ty. E ëmbla ime, e
pakrahasueshme ç’efekt të çuditshëm ke mbi zemrën time. Por çfarë mbetet akoma kur nga buzët e tua, zemra jote merr një dashuri që më tret si zjarri? Je e zemëruar? Pse më dukesh e trishtuar? Je e shqetësuar?… Sa dhimbje ndjej në shpirt! Ti do të largohesh në mesditë. Do të të shoh brenda tri orëve. Deri atëherë, e dashura ime e ëmbël të dërgoj njëmijë puthje, por mos më jep asnjë si shkëmbim, pasi ato ma ndezin gjakun më keq.
****************** ******************
Viktor Hugo për Adele Foucher
1821
E dashur!
Kur dy shpirtra të cilët kanë kërkuar njëri-tjetrin për aq kohë për t’u rigjetur në më fund…, një bashkim i furishëm dhe i pastër si vetë ato… fillon në tokë dhe vazhdon përjetë në parajsë. Ky bashkim është dashuri, dashuri e vërtetë…, një besim i cili hyjnizon të dashuruarin, një bashkim jeta e të cilit rrjedh nga përkushtimi dhe pasioni dhe për të cilin edhe sakrificat më të mëdha janë kënaqësi të ëmbla. Kjo është dashuria që ti më bën të ndiej… Shpirti yt është krijuar për të dashuruar me pastërtinë dhe pasionin e engjëjve.
I yti përgjithmonë
V.H
****************** ******************
Robert Schumann për bashkëshorten e tij Clara Schumman
1838
E dashur, kam qarë nga gëzimi duke e ditur se e je e imja dhe shpeshherë e pyes veten nëse të meritoj. Dikush mund të mendojë se në zemër e në mendje asnjë burrë nuk mund të grumbullojë në zemër aq shumë gjëra në një ditë… Por sa i
lumtur ndihesha dje e pardje! Nga letrat e tua buronte një shpirt fisnik, një besim e një mal me dashuri.
Çfarë nuk do të bëja për dashurinë tënde!
****************** ******************
Winston Churchill për bashkëshorten e tij, Clemmie Churchill
10 gusht, 1894
E dashura ime Clemmie!
Në letrën që më dërgoje nga Madras shkruaje disa fjalë shumë të dashura për mua, se si unë e kisha bërë më të mirë jetën tënde. Nuk mund të ta përshkruaj kënaqësinë që më dhe sepse gjithnjë jam ndjerë aq shumë në borxh me ty, gjithnjë nëse në dashuri mund të mbahen llogari… Se ç’do të thotë të jetoj gjithë këto vite në zemrën dhe praninë tënde, nuk ka fjalë që ta përshkruajnë. Koha kalon shpejt, por nuk ka asgjë më të gëzueshme se sa të shohësh sa i madh dhe si shtohet thesari që ne kemi grumbulluar së bashku nëpërmjet stuhive e trishtimeve të miliona viteve tragjike, të tmerrshme e plot ngjarje.
Bashkëshorti yt i dashur
****************** ******************
Lord Bajron, drejtuar Tereza Guiçiolit
25 gusht, 1819
E dashura ime Tereza!
E kam lexuar këtë libër në kopshtin tënd; dashuria ime ti nuk ishe aty, përndryshe nuk do të mund ta kisha lexuar. Është një prej librave të tu të preferuar dhe shkrimtari ishte një miku im. Ti nuk do t’i kuptosh këto fjalë në anglisht dhe të tjerët nuk do t’i kuptojnë, çka është dhe arsyeja pse nuk i kam kthyer ato në italisht. Por ti do të njohësh shkrimin e atij që të deshi me pasion dhe ti do ta zbulosh atë nëpërmjet një libri që ishte i yti se ai mund të mendonte vetëm për dashurinë. Nga ajo fjalë e bukur në të gjitha gjuhët, por mbi të gjitha në gjuhën tënde “amor mio” përbëhet ekzistenca ime këtu e më vonë kudo që të jem. Unë e ndjej se ekzistoj këtu ku jam dhe e ndjej se do vazhdoj të ekzistoj për atë qëllim që di të përcaktosh; fati im gjendet në duart e tua. Unë të dua dhe ti më do, të paktën ashtu siç më thua dhe siç vepron, çka të paktën është një ngushëllim i madh. Por ajo që ndjej për ty është më shumë se dashuri. Unë nuk mund të pushoj së dashuri ty. Mendo për mua ndonjëherë, nëse Alpet dhe oqeani do të na ndajnë, por ato nuk do të munden asnjëherë, vetëm nëse ti e dëshiron një gjë të tillë.
****************** ******************
Ronald Reagan për bashkëshorten e tij
4 mars, 1983
E dashur Zonjë e Parë!
E di se sipas traditës këtë mëngjes unë duhet të vendos kartolina të tipit “Gëzuar Përvjetorin!”, në tabakanë ku ndodhet mëngjesi yt. Por gjërat janë disi të ndërlikuara. Unë i zëvendësova ato me një dhuratë të cilën e dorëzova disa javë më parë. Sidoqoftë kjo mbetet dita që shënon 31 vite lumturie, të tillë që rrallë burrave u ndodh. Të kam thënë njëherë që kjo ka qenë njësoj siç e ëndërron një adoleshent martesën. E akoma mendoj njësoj. Ti e di se unë e dua fermën, por këto dy ditët e fundit ma kanë bërë më se të qartë se unë e dua atë vetëm kur ti je aty. E kjo është e vërtetë për çdo vend, në çdo kohë. Kur ti nuk je aty, unë nuk jam
askund, vetëm një i humbur në kohë e hapësirë. Unë ndjej më shumë
se dashuri për ty, unë nuk jam i plotë pa ty. Ti je jeta në mua. Kur ti
nuk je pranë meje, unë pres kthimin tënd që të filloj të jetoj
sërish.
Gëzuar përvjetorin dhe faleminderit për 31
vitet e mrekullueshme!
Të dua
Bashkëshorti yt mirënjohës,
Ronald
****************** ******************
I mbyllur në burg për ta ndaluar që të takonte Olymbe Dunover, vajzën e varfër të një gruaje të shtresës së ulët, Volteri u arratis pak pasi shkroi letrën.
Hagë 1713