SV Ried pa "dhëmbë", kur s‘ka Salihin
Skuadra e austriake e Sv Riedit "qan" mungesën e sulmuesit shqiptar, Hamdi Salihi, i cili vazhdon të vuajë dëmtimin prej disa javësh. Një gjë e tillë u vu re edhe në ndeshjen e humbur me rezultatin 2-0 kundër Kapfenbergut. Sipas faqes se njohur sportive austriake "Offside.at", skuadra e Riedit e kontrollonte lojën, por asnjëherë nuk u tregua e rrezikshme para portës kundërshtare, ku mungonte njeriu-gol. Ishin shumë pasivë në repartin e sulmit. "Prej 5 ndeshjesh, SV Riedi kishte pa sulmuesin shqiptar, Hamdi Salihi, të dëmtuar, dhe sulmi i tyre ishte pa dhëmbë", vazhdonte më tej artikulli i "Offside.at". Po ashtu këtë e pranonte më pas dhe vetë trajneri i skuadrës austriake, Paul Gludovatz: "Patëm shumë shanse për të shënuar, por askush nuk arriti t‘i shfrytëzojë". Sikurse është mësuar nga lajmet që vijnë nga infermieria e SV Riedit, sulmuesi shqiptar do të vazhdojë të mungojë edhe për të paktën dhjetë ditë. Në këtë fillim sezoni Salihi demonstroi se është një bomber i vërtetë, tek i cili mund të varen shpresat e skuadrës në këtë edicion, ku ka shënuar 4 gola në 7 ndeshje ku ka marrë pjesë.