Lorik Cana në fushë kundër PSV
Pas impenjimeve me përfaqësuesen kuqezi, Lorik Canën dhe Arjan Beqajn i presin dy sfida shumë të rëndësishme me skuadrat respektive. Të mërkurën, të dy futbollistët shqiptarë do të luajnë në aktivitetin më prestigjioz për klube në kontinent, Ligën e Kampioneve. Cana rikthehet në aksion për Olimpikun e Marsejës, pas "pushimit të detyruar" në fundjavë. Në fakt, mesfushori nuk zbriti në fushë në fitoren 3-1 që skuadra e drejtuar Erik Gerets arriti në fushën e Valencies, pasi ishte i pezulluar me kartonë. Lojtari ka udhëtuar drejt Holandës, në grupin prej 18 lojtarësh e pritet të marrë vendin e tij në formacionin titullar për sfidën me PSV Eind‘hoven. Ky takim shihet si tejet i rëndësishëm për francezët, të cilët kanë regjistruar dy humbje (kundër Liverpulit dhe Atletikos së Madridit). Në konferencën e djeshme për shtyp, trajneri marsejez vlerësoi lojtarët kundërshtarë, duke bërë krahasime me kuqeziun. "Ashtu si edhe ne, PSV-ja kërkon tri pikët e para në grup, tha ai. Ata kanë një skuadër të fortë, me lojtarë që sakrifikohen shumë, ashtu si bën Cana te Marseja dhe kjo ndihmon në ekuilibrimin e skuadrës". Ndërkohë, në mëngjesin e sotëm, Arjan Beqaj dhe Anorthosis Famagustra "zbarkuan" në Milano për sfidën prestigjioze me Interin. Edhe pse marrja e një rezultati pozitiv në Itali duket e vështirë, kampionët e Qipros (që aktualisht kanë 4 pikë nga 2 ndeshje) do të tentojnë të bëjnë surprizën përballë yjeve të drejtuar nga Hoze Murinjo.