E Diel, 1 Nëntor 2026

Biznesmenët japonezë shumë të interesuar për të investuar në Shqipëri

Kryeministri Berisha dhe delegacioni që ai e shoqeronte kanë zhvilluar dje takimeve të rëndësihme me ministra të rëndësishëm të kabinetit qeverisës të kryeministrit Fukuda si dhe përfaqësues të sipërmarrjes private. Kështu Berisha, zhvilloi një një takim me Ministrin e Ekonomisë Tregtisë dhe Industrisë, zotin Akiro Amari. Duke i uruar mirëseardhjen, ministri Amari e përgëzoi kryeministrin për prezantimin që i bëri reformave dhe arritjeve të qeverisë shqiptare në seminarin me përfaqësues të biznesit japonez. Ndërsa u shpreh se seminari shënoi një sukses shumë domethënës për ardhmen e investimeve në Shqipëri. Ministri i ekonomisë tha se burimet minerale që ka Shqipëria paraqesin shumë interes për biznesin japonez, ku theksoi se Japonia zotëron ekspertizën në përpunimin e tyre. Duke e konsideruar si tepër të frytshëm bashkëpunimin ndërmjet dy vendeve në këtë fushë, Ministri Amari vlerësoi se me pasuritë natyrore që mbart, si dhe kushtet optimale që ofron për biznesin, në Shqipëri nuk do të ketë kurrë investitorë
të humbur. Nga ana e tij, kryeministri Berisha tha se në Shqipëria po funksionojnë më së miri projektet për taksat elektronike, prokurimet elektronike, taksën e sheshtë 10 përqind, nisma "Shqipëria 1 euro", etj. Këto reforma, tha Kryeministri po e bëjnë Shqipërinë një vend gjithnjë e më tërheqës për investitorët e huaj. Duke diskutuar për klimën e favorshme të biznesit, Kryeministri u shpreh Shqipëria është vendi me koston më të ulët të fuqisë punëtore në Evropë. Po dje Berisha u prit në një takim nga Ministri i Financave të Japonisë, Fukushiro Nukaga. Ky i fundit u shpreh se ishte informuar nga biznesmenët japonezë për prezantimin shumë të mirë që Kryeministri Berisha bëri para tyre. Duke vlerësuar rëndësinë e bashkëpunimit mes dy vendeve, Ministri Nukaga u shpreh se kredia e butë që do të japë Banka japoneze, për bashkëpunim ndërkombëtar është një shembull i mirë i këtij bashkëpunimi të frytshëm që vendoset. Gjithashtu zoti Nukaga vlerësoi se takimet e shumta të kryeministrit Berisha me liderë të biznesit, dëshmojnë për arritjet e Shqipërisë dhe qeverisë së saj për të ndryshuar klimën ndaj biznesit dhe krijimin kushteve për tërheqjen e investimeve. Nga ana e tij, kryeministri shqiptar vlerësoi ndihmën që qeveria japoneze i jep Shqipërisë, në përpjekjet e saj për të ndërtuar shtetin ligjor dhe ekonominë e tregut, duke siguruar kreun e financave japoneze për angazhimin e mëtejshëm të qeverisë në përkrahje të investitorëve të huaj, nëpërmjet të ofrimit të kushteve lehtësuese dhe një mjedisi mbështetës. Në përfundim, Kryeministri Berisha e ftoi Ministrin japonez të Financave të vizitojë Shqipërinë. Gjatë vizitës në Japoni, Kryeministri Berisha pati edhe një takim me Zëvendëskryetarin e Dhomës Japoneze të Tregtisë dhe President i Bordit të Korporatës Mitsubishi, Mikeo Safaki. Dhoma Japoneze e Tregtisë ka mbi 1300 kompani, 130 shoqata industriale dhe rreth 50 shoqata ekonomike rajonale. Misioni i saj është të shpejtojë rritjen e ekonomisë japoneze, të forcojë korporatat, duke inkurajuar idetë e individëve dhe komuniteteve lokale. Zoti Safaki i shprehu Berishës impresionet për prezantimin, në takimin me përfaqësues të biznesit japonez,
të zhvillimeve dhe reformave në Shqipëri. Pjesëmarrja në këtë takim, tha zoti Safaki, është një indikator i interesit të madh të biznesit japonez për Shqipërinë. Ai u shpreh se i bënë përshtypje tepër pozitive nënshkrimi i Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit me BE-në dhe arritjet e prezantuara nga Kryeministri gjatë takimit me komunitetin e biznesit. Safaki tha se sipërmarrësit japonezë janë shumë të interesuar për t’u njohur me zhvillimet dhe mundësitë që paraqet Shqipëria për të investuar. Ai shprehu interes të veçantë për sektorin e shfrytëzimit të mineraleve dhe në peshkim. Vizita juaj, tha ai, është një mundësi shumë e mirë për t’i dhënë një nxitje të madhe përpara lidhjeve ekonomike mes dy vendeve.Kryeministri bëri një prezantim të avantazheve që paraqet Shqipëria si vendndodhja gjeografike e saj pranë tregut të madh evropian, klima e favorshme për biznesin që qeveria shqiptare ka krijuar gjatë këtyre dy viteve në sajë të reformave të ndërmarra, uljen e barrës fiskale dhe reduktimit të procedurave burokratike. Ne tashmë kemi tërhequr një numër kompanish të huaja që janë vendosur në Shqipëri, por vendi ka potenciale për të tërhequr edhe shumë kompani të tjera, u shpreh Kryeministri. Kryeministri e ftoi zotin Safaki për të vizituar Shqipërinë, të cilën ai e pranoi me kënaqësi.
Kompania “Tokushukai”, interes për investime në fushën e sektorit shëndetësor/Kryeministri Sali Berisha, gjatë vizitës së tij në Tokio, zhvilloi një mëngjes pune me deputetin Takeshi Tokuda dhe drejtues të grupit Tokushukai. Pasi informoi mbi përmirësimin e legjislacionit të biznesit, e veçanërisht me ligjin për partneritetin publik privat, kryeministri Berisha premtoi se qeveria do të lehtësojë çdo mënyrë investimi që ata do zgjedhin, për të investuar në Shqipëri. Grupi “Tokushukai” është një nga grupet më të mëdhenj të shëndetësisë në Japoni, me rreth 150 spitale dhe qendra rehabilitimi në gjithë vendin. Gjatë takimit me Kreun e Qeverisë shqiptare, ata shprehën synimin për ta përçuar interesin e tyre në Shqipëri dhe për të investuar aty. Gjithashtu, ata vlerësuan se "reformat e qeverisë shqiptare kanë përmirësuar klimën e biznesit në vend dhe i japin mundësi investitorëve të huaj ta konsiderojnë Shqipërinë, si një nga vendet më tërheqës".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›