Erioni dhe 99-shat, në mungesë të programit akuzojnë për spiunazh, dekonspirime dhe vjedhje idesh
Pasi pranoi se kërkon edhe dy muaj kohë për të përfunduar programin dhe për të publikuar atë me shpresën se rreth tij do të mblidhen të gjithë properëndimorët rioshë të këtij vendi, Erion Veliaj, hodhi dje akuza për dekonspirime nga brenda të lëvizjes së tij të re politike dhe për të tentativa nga jashtë për të depërtuar brenda sekreteve të saj. Megjithëse nuk mundi të bindë askënd se çfarë lidhje kanë idetë parciale dhe skanerimi i defekteve të qeverisjes me rrugën e tretë të laburistëve britanikë si teori dhe ideologji, Veliaj këmbënguli dje se do të realizojë në politikë një laburizëm alla-shqiptar. Gjithashtu, Erioni nuk mundi të bindë askënd, se cilat janë diferencat ideore dhe programore të projekt-idesë që ka në kokë, me programin socialdemokrat të huazuar nga të gjelbrit gjermane dhe nga e majta europiane, që Rama shpalli në Kongresin e fundit të Partisë Socialiste. Veliaj, i paragjykuar si bishti i kometës socialdemokrate edramiste në politikë, kaloi në kundërsulm kur akuzoi se po ia shpërdoronin idetë në media dhe po ia dekonspironin ato para kohe. Në tentativën për të bindur bashkëbiseduesit se lëvizja e tij është shpëtimtare shembuj të lëvizjeve të ngjashme me lëvizjen e tij në Europën Lindore, Veliaj vërtetoi me gojën e tij katërcipërisht se do të vijojë në politikë edhe në të ardhmen thjesht përqasjen e zgjidhjeve parciale, sikundër ato që ka artikuluar dhe realizuar deri më tash me anë të aksionit populist të lëvizjes Mjaft.