E Diel, 1 Nëntor 2026

Sa herë vij, betohem që do të jetë hera e fundit, por kthehem sërish

Më të shumtën e jetës, këtu në emigracion e kalojmë duke punuar. Kur nuk punojmë, qajmë hallet e Shqipërisë, pjesën tjetër e kalojmë në gjumë dhe për fat të keq, vitet ikin.

Një miku im kthehet në Shqipëri pas 5 vjet mungesë dhe një ditë, duke ndenjur shtrirë në divan, dëgjon postierin që i bie derës dhe pasi nëna e tij i hap derën, postieri fillon t’i kërkojë llogari me një ton zëri të inatosur, duke i thënë tekstualisht:

“Ku ishe në mëngjes ti, se erdha e nuk gjeta njeri e më detyrove të kthehem prapë tani” (!) Kjo ndodhte në Tiranë, vaj hallit në qytete të tjera se ç’bëhet...

Miku im dëgjon gjithçka dhe del te dera. Postierit i ikën fytyra kur sheh atë, se është pak trupmadh. Kërkon falje pas një inskenimi allashqiptarçe të mikut tim dhe largohet.

Kështu dhe puna jone. Vijmë në Shqipëri, pasi jemi mësuar ndryshe këtu dhe ndaj çdo gjë, aty, na duket absurde. Nuk na ngelet tjetër veç të zihemi, të paguajmë ryshfete ose të largohemi sa më parë është e mundur.

Unë sa herë shkoj, betohem që është hera e fundit por, pas një farë kohe më merr malli dhe detyrohem të kthehem. Ndjesë atyre që jetojnë atje dhe janë njerëz të kulturuar por, sipas gjykimit tim, me atë klasë politike injorante dhe hajdute, ai vend nuk bëhet.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›