Fitojnë Dinamo dhe Partizani, distanca mbetet e njëjtë
Dueli mes Dinamos dhe Partizanit ka vazhduar në distancë, ku përkatësisht Besa dhe Vllaznia, dy skuadra disi të motivuara dhe me emër në kampionatin tonë, nuk kanë mundur t'u rezistojnë rivalëve për titull. Si Dinamo, ashtu edhe Partizani, fitojnë pastër ndeshjet e tyre, duke mos rrezikuar. Tani është e sigurt, titulli do të përcaktohet në ndeshjen e fundit të kampionatit, ku përballë do të jenë pikërisht këto dy ekipe, veçse njërës skuadër mund t'i shërbejë edhe barazimi, ndërsa tjetrës vetëm fitorja.
Dinamo fiton, i përgjigjet Partizani
Tifozët e Partizanit dhe të Dinamos vazhdon t'i mbajë ankthi. Teksa shënon njëra, veshët mbahen nga stadiumi tjetër, ku luan rivali. Por as kësaj radhe nuk ka ndodhur ndonjë surprizë, për pasojë tifozët u gëzohen vetëm fitoreve të ekipeve të tyre, duke shpresuar tashmë që "shapin nga sheqeri" do ta ndajë ndeshja derbi mes tyre, sidomos për tifozët e kuq. Edhe nëse do të kishte ndonjë hap fals të Dinamos në Shkodër, sepse nuk mendohet që Partizani të gabojë me Skënderbeun, sërish ndeshja e fundit do të jetë përcaktuese, vetëm me ndryshimin që Dinamos do t'i duhej fitorja patjetër. Gjithsesi, duhet gjetur një shkak për të motivuar shkodranët për ndeshjen në Shkodër për të ndalur Dinamon.
Teuta, barazimi mund t'i kushtojë shtrenjtë
Ka gabuar edhe në ndeshje të tjera skuadra durrsake, por në të djeshmen barazimi quhet një hap shumë i gabuar. Rivalët, Besëlidhja dhe Kastrioti, fitojnë dhe për pasojë lezhjanët janë vetëm një pikë larg durrsakëve, ndërsa Kastrioti largohet, duke u shkëputur tani tri pikë para Teutës. Gjithsesi, asgjë nuk ka mbaruar për të tri ekipet që luftojnë për mbijetesë, ku javën tjetër, edhe pse ndeshet në transfertë me Tiranën, Teuta duket më e favorizuar, sepse Kastrioti ndeshet me Elbasanin në transfertë dhe po në transfertë edhe Besëlidhja me Besën. Por Besa dhe Elbasani luftojnë për vendin e tretë, kështu që çdo gjë mbetet e hapur.
Elbasani i kërcënon vendin e tretë Besës
I është afruar edhe një pikë Elbasani ekipit kavajas, duke e shkurtuar tani në dy pikë dhe lufta për vendin e tretë hapet akoma më shumë. Mund të kishte rezultuar edhe më keq për Besën, nëse do të fitonte Elbasani. Kuptohet që më e favorizuar mbetet Besa, që mjafton të nxjerrë me fitore dy ndeshjet e saj. Por duke parë që, si Besa, ashtu edhe Elbasani, do të ndeshen me ekipe që luftojnë për mbijetesë, surpriza është e pranishme në dy ndeshjet e fundit.
Humbet Shkumbini, Ismaili braktis ndeshjen
Pas paraqitjeve të mira të Shkumbinit, dje ka ardhur humbja. Në fakt kjo humbje edhe mund të mendohej, kur kemi parasysh që luante jashtë dhe përballë një Kastrioti tejet të motivuar. Ajo që të bën përshtypje është largimi nga stadiumi i presidentit Ismaili, kur ekipi peqinas ka pësuar gol. Një gjest që i ka habitur të gjithë, kur Shkumbini nuk kishte ndonjë objektiv madhor dhe është i qetë në renditje. Me siguri do të kemi edhe masa ndaj ekipit të Shkumbinit, sepse Ismaili i ka ndëshkuar jo pak herë të tijtë, ashtu siç edhe i ka shpërblyer kur kanë fituar.
Apolonia dhe Lushnja "OK", gabon Bylisi
Interesante edhe lufta për ekipet e kreut të kategorisë së parë. Lushnja dhe Apolonia i kanë fituar pa probleme ndeshjet e tyre të shtëpisë, por ajo që mund të quhet surprizë është humbja në fushën e tij e Bylisit, teksa Laçi merr një tripikësh të artë. Më mirë të themi një tripikësh i "dhuruar", pasi ballshiotëte nëse do t'u duhej fitorja, në fushën e tyre nuk do të falnin. Siç duket, në kategorinë e parw ka ardhur momenti i favoreve. Edhe këtu lufta do të vijojë deri në javën e fundit, nga ku mund të ketë ndryshime. Kujtojmë që dy ekipe do të kalojnë direkt në superligë, ndërsa dy të tjerët do të ndeshen në "play-off" me dy ekipe të superligës.