E Shtunë, 31 Tetor 2026

I plas kapsolla në duar, plagoset 13-vjeçari

 

Fier, Ledion Ruko mblidhte skrap për ta shitur por mes hekurishteve ka gjetur edhe kapsollën e granatës

FIER- Një fëmijë 13-vjeçar nga fshati Marinëz i Fierit ndodhet në spital duke luftuar me plagët e shkaktuara nga shpërthimi i kapsollës së një granate, të cilën e ka gjetur teksa po kërkonte për skrap. Gjendja ekonomike jo e mirë e familjes ka detyruar Ledion Rukon të mblidhte skrap për ta shitur në zonat naftëmbajtëse të Marinzës. Pasditen e djeshme, Ledio dhe një shoku i tij ndodheshin në një grumbull hekurishtesh. Midis tyre, 13- vjeçari, nxënës i klasës së 7-të, ka parë edhe një kapsollë, e cila i ka tërhequr vëmendjen. Pasi e ka marrë në duar, ai ka dashur që të luajë me të por e ka pësuar shumë keq. Kapsolla i ka shpërthyer në duar duke e dëmtuar rëndë. Sasia e madhe gjakut që dilte nga të dyja duart si dhe dhimbjet e mëdha kanë bërë që 13-vjeçarit t’i bjerë të fikët. Edhe shoku i tij është tmerruar nga skena që ka parë por ka mundur që të rendë deri në shtëpi e të njoftojë babanë e djalit të plagosur. Menjëherë ata kanë marrë një makinë dhe kanë transportuar fëmijën e plagosur në urgjencën e spitalit rajonal të Fierit. Burime të spitalit pohuan se fëmija 13- vjeçar është dërguar në sallën e operacionit ku mjekët kanë bërë të mundur qepjen e plagëve të marra, sidomos tek gishtat. “Njëri prej tyre është këputur ndërsa të tjerët kanë marrë dëmtime të mëdha”,- pohuan mjekët e spitalit. Mësohet se edhe babai i djalit, Arben Ruko, vite me parë pas një aksidenti në puset e naftës ka këputur dy gishtat e njërës dorë. Familja Ruko ka gjashtë anëtarë por jeton në kushte tepër të vështira. Për këtë arsye 13-vjeçari dilte rrugëve për të mbledhur hekurishte në mënyrë që të ndihmonte sadopak familjen. Ngjarja që ndodhi i ka tronditur shume prindërit, të cilët janë të lumtur që fëmija i tyre është jashtë rrezikut për jetën pasi mund ta kishte pësuar më keq.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›