Sa kushton një jan pallah
Me heshtë si me heshtë. Me shkrue si me shkrue. Është përzie leshi keq. Po jetojmë kohë të çuditshme e ngjarje të çuditshme. Dhe po bëjmë sikur po çuditemi.
Po jetojmë kohë shëmtie, kohë mashtrimi e maskaralleku.
Ndjej sinqerisht dhimbje e më ther në shpirt vuajtja e tjetrit, më dhemb dhimbja e gjithkujt. Por tronditem kur më manipulojnë, kur dhimbjen time duan ta përdorin të tjerët për qëllime të vogla, të mbrapshta, për interesa të tyre.
Vuaj me të përndjekurit e vërtetë politikë. Vuaj nga pamundësia që t’i ndihmoj se janë shumë fisnikë. Ia dinë vlerën lirisë. Të mësojnë me shpresën dhe me durimin.
Por këto kohë po shohim shfaqje komedish të trishta me një grup të përndjekurish politikë. I kanë bindur se janë aktorë të mirë, kur në fakt nuk janë aktorë fare. Asgjë nuk bëhet me gjithë mend tek ne, nuk bëhet prej vërteti, por bëhet sikur, sikur bëhet por nuk bëhet, bëhet me gjasme. Bëjmë sikur duam por në fakt nuk duam. Bëjmë sikur jemi seriozë, por jemi e bëhemi qesharakë. Luajmë pafundësisht komedi. Shëmtojmë gjithçka, pa mëshirë, dhunshëm, verbërisht në emër të inatit e jo të bindjes. Ajo që bëjmë është e paarsyeshme, nuk justifikohet, nuk përligjet. Përdoremi keqas si vegla nga të tjerët, si kavie, jo në laboratore shkencore por në mes të udhës, në sy të mediave, të kamerave të pamëshirshme të ustallarëve të pashpirt.
Greva e urisë së një pjese të ish-të përndjekurve politikë e gjasme politikë (s’është i pëndjekur politik, edhe sikur të ketë bërë 800 vjet burg, një njeri që ka hyrë në burg se ka përdhunuar nxënësen e tij në 8-vjeçare dhe për ta fshehë këtë përdhunim është rënë dakord atë botë që të shkruhej si i dënuar për agjitacion e propagandë, që të mos mbetej damka për nxënësen e përdhunuar e familjen e saj…), vetëm grevë urie nuk është. Është grevë mbingopje me të ngrënë e të pirë. Pra gjasme grevë urie, sikur po bëhet grevë urie dhe në këtë aspekt është grevë shëmtie. U shëmtua greva e urisë si akt, u përdhos. Vetëm Pjetër Arbnori ka mbetë model dhe shembull i grevës së urisë në postdiktaturë. Fyhet kështu nga ne rëndë sakrifica e atyre njerzve që kudo në botë kanë bërë grevë urie sepse ne bëjmë gjasme grevë urie, bëjmë sikur po bëjmë grevë, sikur nuk po hamë e nuk po pimë. E në fakt shkepemi duke ngrënë e duke pirë.
Ne bëjmë spektakle. Grevë para kamerave. Urrejmë njerzit që nuk na ndjekin, që nuk bëhen me ne, që nuk sensibilizohen. 20 grevistë që nuk ndiqen nga armata e madhe e gjigande e të përndjekurve të vërtetë politikë, armatë që nuk mund t’ia lejojë vetes të manipulohet nga askush. Sepse kjo është gjasme, është sikur po bëjmë grevë. Që të tjerët të kujtojnë se po bëhet grevë. Që të tjerët të vuajnë. E të ngrihen të rrëzojnë qeverinë për llogari të opozitës, me moton maskarej të gjithë vendit bashkohuni të rrëzojmë qeverinë, dhe pas rrëzimit të kësaj qeverie e ardhjes së qeverisë së opozitës, të përndjekurit të lëpijnë gishtat siç i kanë lëpirë kur ka qeverisë opozita…
Kjo grevë urie, që po të ishte grevë urie prej verteti, pjesëmarrësit në të do të ishin harruar nga e pangrëna, është drejtuar kundër qeverisë, kërkon largimin e qeverisë, akuzon qeverinë aktuale të Partisë Demokratike si qeveri që nuk është kujdesë për të përndjekurit politikë, duke u bërë sfond i gjithë antiqeveritarëve aktualë që janë bashkuar nën moton maskarej të gjithë vendit bashkohuni të rrëzojmë Berishën.
Por harrohet se Partia Demokratike ishte ajo forcë politike që këputi prangat dhe i çliroi nga burgjet e diktaturës të burgosurit. Sot çlirimtarët e të burgosurve mallkohen prej të burgosurve të çliruar. Çudi!
Forca politike Partia Socialiste është trashëgimtarja e burgosësve të djeshëm. Ka brenda radhëve të saj burgosës të të burgosurve. Ka në radhët e saj plot xhelatë të djeshëm të diktaturës, bij të xhelatëve. Nuk fajësoj dot kurrë birin e askujt se asnjë bir nuk ka faj për babën, por fajësoj rëndë nëse biri vijon të jetë xhelat si baba, anise i moderuar, xhelat duke dhunuar butë me tallje e shëmti viktimat e babës. Dhe të përndjekurit që nuk janë shpërfillë e trajtue aq mizorisht, sa thonë një pjesë e tyre, nga Partia Demokratike, kanë shfaqë e po shfaqin një dashuri të madhe për Partinë Socialiste. I bie që viktima të jetë ende e dashuruar më xhelatin. Çfarë dashurie…
Kjo është hapur, asiqare. Partia Socialiste menaxhon grevën, ajo avokaton grevistët, ajo vajton për to. Eksponentët e saj janë aty përherë. Grevistët aktrojnë për llogari të Partisë Socialiste dhe të gjithë maskarejve që janë bashkuar nën moton, maskarej të gjithë vendit bashkohuni të rrëzojmë Berishën. Çudi.
Në vitet postdiktaturë, të përndjekurit politikë asnjëherë nuk kanë bërë grevë urie apo protesta kaq të bujshme para kamerave kur ka qenë në pushtet Partia Socialiste. Kur është në pushtet Partia Demokratike ata shkepën duke bërë greva e spektakle grevërie.
Ajo që më shqetëson e më trazon është se në këtë vend nuk bëhet asgjë serioze. Por ka shumë mashtrim e shumë falsifikim. Bëhet me gjasme, me sikur. Grevistët bëjnë sikur po bëjnë grevë. Hiqua kamerat dhe ata nuk bëjnë asgjë. Po të mos ishin kamerat nuk do të digjej as nga rrobat grevisti që tentoi të digjej por ia shuan zjarrin shpejt. Të jemi të saktë, që tentoi të digjej. Se është vështirë të digjesh kur s’je i bindur dhe kur nuk ke arsye që ta përligj shoqëria flijimin.
Ata keqpërdorën edhe nga Kreshnik Spahiu që thotë duke bërë gjasme se është i mërzitur e tronditur para grevistëve se në 100 vjet Berisha është më i keqi ndër liderët e këtij vendi. Vajmedet. Pra sipas Nikut, Enveri ishte për ta puthë në ballë. A janë dakord të përdjekurit politikë? Bamiri është mërzitur shumë për fatin e të përndjekurve e të grevistëve. A i besojnë grevistët e të përndjekurit Bamirit që ka dekoruar xhelatët e të përndjekurve?
Mendoj se boll me sikure, me gjasme…
Boll me mashtrime e fallsifikime e shëmtime.
Nuk është kollaj e lehtë me marrë vendim me vdekë. Duhet trimëri me vdekë. Duhet mendje e ndame me u bë Jan Pallah. Kush e ka me gjithë mend me u bë Jan Pallah, nuk duhet me u lye me benzinë, nuk duhet me u thënë kamerave rrini gati të filmoni, nuk duhet me u thënë shokëve, mbamëni burra se unë po digjem por ju më shuani shpejt.
Duhet me u bë Jan Pallah e jo sikur me u bë. Duhet me pasë arsye si Jan Pallahu e jo me u përdorë e me aktrue shumë keq rolin e Jan Pallahut. Pra me u djegë e jo me bë sikur me u djegë. Me u bë martir e jo sikur me u bë martir. Me u djegë, me e bë aktin e jo me bë sikur po e bën aktin. Me u djegë pa thënë se do të digjem.
Për fund do të thoja për nxitësit e këtyre komedive se është më shumë se sa e shpifur kjo lojë politike që po bëni. Ju mund të keni paratë e botës në duar, por është shumë e vështirë të blini një Jan Pallah që të jetë shqiptar, që të ketë arsye për martirizim, që të pranohet si martir.
Ndaj mos luani më komendi të tilla të shëmtuara se duke dashtë me shëmtue vendin, po harroni se jeni pjesë e tij dhe shëmtoheni edhe vetë.