E Diel, 1 Nëntor 2026

Kur ke një opozitë që merr flakë nga Statusi, si benzina

10-10-2012 / Nga Ilir Nikolla

Sot Shqipëria merr vlerësimin e përbashkët (të teknicienëve – më i vështiri në fakt) se vendi e meriton dhe njihet si kandidat për anëtarësimin e plotë në Bashkimin Evropian. Përkundër një rruge fort të vështirë dhe me një abisse si 1997, vendi ia ka dalë të rikapë ritmet e reformave e bile edhe të shndërrohet në një promotor rajonal për ribashkimin me familjen evropiane. Ky historik përpjekjesh ka nevojë për evokim sot, për shkak se një pjesë e elitës politike prej vitesh po angazhohet fort për ta ndalur këtë udhë, e cila është e plasuar prej magnetizmit. Është forca tërheqëse që i çon shqiptarët drejt BE-së, drejt Shën Pjetrit, Firences, Venecias, Vjenës, Amsterdamit, Pragës, Parisit, Londrës e në fund drejt Brukselit. Po e themi që në fillim se e ka fort më frytdhënëse Sali Berisha kur tenton me sa mundet të miratojë ligje e reforma që kërkohen nga Brukseli (referenca formale e magnetit), sesa Edi Rama, i cili që nga 2005, harxhon kohë duke bllokuar luftën kundër celulave kriminale në të gjithë vendin, harxhon bojë duke kritikuar planin qeveritar të decentralizimit të investimeve, harxhon frymë e shpirt kundër Rrugës së Kombit, harxhon para e dekonspiron baxhella politike, veç që të ndalë lëvizjen e lirë të shqiptarëve, bllokon rrugë e bojkoton institucione, veç që të rrëfejë se karta e identitetit të shtetit shqiptar është destabilizimi.
Në veri thonë se të merresh me punë të pamundura është si të mihësh në ujë. Këtë e di gjithkush, jo më një njeri fort i këshilluar si Rama, por rruga me detyrim e përcaktim e kreut të opozitës ka lidhje me përpjekjen e stërmundimshme për të zgjatur rrugën që shtetit shqiptar i duhet të përshkojë për t’u shndërruar në një stacion të magnetit Bruksel. Ekzekutivit i duhet të bëjë sikur nuk shikon teksa rroticat e salsiçeve shkonin për të nginjur barkun e deputetëve të Edi Ramës e Erion Velisë, të cilët ishin rrasur në një grevë urie, e cila esencialisht ishte bllokim i Bulevardit “Dëshmorët e Kombit”. Shteti e ka të shenjtë kohezionin, fytyrën e stabilitetit që duhet të përçojë aspirata gjithëshqiptare për integrim në BE. Publiku bën sikur s’e dëgjoi mirë klithmën e Valentina Leskajt se në rast se shqiptarëve do t’u hiqej detyrimi i vizave, 800 mijë shqiptarë do t’ia behnin brenda ditës tek sheshi i Shën Pjetrit (siç thuhej, të shumtët e të cilëve kriminelë, përtacë e lavire). Erzi desh na u mor edhe më 21 janar të 2011, kur dërgata e opozitës drejtoi një aksion zjarrndezës kundër ekzekutivit, pushteti i parmë që rrjeth prej parlamentit.  
Gjithçka duhej kapërdirë, për shkak se disa qeliza të elitës ishin kancerogjene dhe punonin si punëtore kundër magnetit.
Sot Shqipëria do të marrë statusin e vendit kandidat, dhe do t’i numërohen disa rekomandime të thjeshta, përmbushja e të cilave (me shpresë të Zotit besohet se mund të ndodhin para pranverës së ardhshme), do të çojë tek drita jeshile edhe për negociatat e anëtarësimit. Por kjo dritë jeshile errësohet shumë nga rrezet vrasëse që opozita anti-magnet përçon përmes djegies me izëm të Gjergj Ndrecës. Këto rreze tani kanë dalë haptas e pikasen nga çfarëdolloj radari, edhe nga radarët burokratikë të Brukselit. Edhe për ta, ato janë forcat që duhen neutralizuar, në mënyrë që shqiptarëev t’u lehtësohet rruga drejt integrimit. Dhe sot, këtyre forcave u jepet një goditje e fortë. Sot kjo opozitë goditet me status dhe shpresa jonë është se kjo opozitë-benzinë do të marrë flakë. Kjo opozitë po vetëkonsumohet, sepse po lufton kundër magnetit dhe asnjë akt kamikaz asgjësimi s’e errëson dot rëndësinë e 10 tetorit. Statusi na u dha dhe benzina antievropiane le të marrë flakë...s’bën asgjë më pak sesa të përshpejtojë urgjencën e integrimit tonë në BE (afërmendsh, duke neutralizuar faktorin benzinë, me mjetet që kimia politike e Brukselit sugjeron). 

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›